Pse skemi industri turizmi, mes dy vendeve të famshme për turizëm?
Përse anglezët e kanë patur dhe e kanë Greqinë si vend të privilegjuar për pushimet e tyre? - Ka natyrën e bukur të ishujve plot diell, peshkimin e zhvilluar, kulturën kulinare (të të gatuarit) në mënyra mesdhetare të kthyer në art. Kanë kujdes dhe mirësjellje në shërbim. Rezultati? 8 deri 10 milionë turiste në vit dhe kryesisht në verë. Ndaj themi që është industri.
Përse e gjithë bota ka ëndërr të vizitoje Italinë, çfarë ofron? Ofron 40% të trashëgimisë botërore në arte dhe kulture. Bregdet të bukur të kultivuar me pasion qytetar dhe shfaqje, muzike dhe mirësjellje e edukatë pa fund. Rezultati? 20- 24 milionë turistë në vit, në të gjitha stinët. Themi që është industri.
Mora si shembull dy shtete afër nesh, të vjetra në histori sa ne, me të njëjtën klime, në të njëjtin det. Dy shtete të cilët kanë eksperience gati 70 vjet në këtë industri. (Nuk po hedhim për diskutim Spanjën e Turqinë që po e rrisin pafundësisht këto 10 vjet).
Pse ne nuk kemi një industri të tillë, atëherë? 1.Nuk kemi sepse vijmë nga një shtet me popullsi të varfër, që për gjysme shekulli nuk kishte mundësi të binte në kontakt me boten e kulturuar. Shërbimi quhet madje akoma punë shërbëtorësh. 2.Kemi keqmbajtur ose prishur me qellim, traditën historike. 3. Kemi natyre të bukur dhe plot diversitet, por nuk kemi ndërtuar rrugë komunikimi dhe transport.
4. Në këto 18 vjet, ka anarki totale në ndërtimet turistike. Pra, nuk ka kanalizime dhe ujë të mirësiguruar dhe kontrolluar, ka ndërtime pa sens dhe pa tradite arkitekture nacionale, ka mungesa në aerodrome të vegjël për avionët tip “Charter”, etj., etj.
Pallavrat e qeverisë i kuptojnë me një të hedhur të syrit të huajt, sapo shkelin në token tone të dashur. E shikojnë edhe emigracionin, i cili është 30- 40% dhe dinë të krahasojnë. E shikojnë edhe ata të shkretë që jetojnë në Shqiperi dhe nuk kanë mundësi të tjera se ku të shkojnë, ose të lënë paratë në agjencitë për të bere pushimet “sa frëngu pulën”. Për të lëvizur vetë jashtë Atdheut, harroje!!! Për të aplikuar në internet në oferta ndërkombëtare??? E arritshme vetëm për hajdutët me çizme dhe me kravata qeveritarësh. Ne të tjerët, jetojmë si në rrethim akoma.