E Martë, 3 Nëntor 2026

Pse u ul Rama me Rithemelimin? Zaimi: Zgjodhi grupin që ka më shumë numra

Partia Socialiste dhe Rithemelimi gjetën dakordësinë këtë të martë (12 mars) për të rikthyer normalitetin në parlament. Duke analizuar se përse kryeministri Edi Rama zgjodhi pikërisht Rithemelimin për marrëveshje, Gerta Zaimi, kryeredaktore e Albanian Post tha në emisionin “3D” se “çelësi” ishin numrat.

Sipas Zaimit, Rama, si një politikan pragmatik, edhe pse kishte deklaruar më parë se nuk do të bënte marrëveshje me Rithemelimin, i zgjodhi ata për shkak se ata prevalojnë në numër në raport me PD-në zyrtare.

“Fituesi i madh është Rama deri diku sepse në fund të fundit ai kishte thënë që nuk do bënte asnjë tratativë me Rithemelimin, por Rama është pragmatik dhe si i tillë sheh numrat. Teknikisht, leximi i sotëm është që ai pa numrat, numrat i ka Rithemelimi, nuk i ka Basha. Jemi përballë një situate ku Shqipëria është klasifikuar si e zgjedhura e Ballkanit për stabilitetin që ka dhe kjo ka qenë edhe trysnia e të huajve në lidhje me Ramën sepse nuk mund të lejonin një Parlament jofunksional. Parlamenti duhej funksional në këtë moment. Për deri sa numrat i ka Rithemelimi, Rama bëri zgjedhjen pragmatik për t’u afruar me Rithemelimin”, u shpreh Zaimi.

Teksa thekson se kjo marrëveshje, nga ana tjetër është edhe humbje për Ramën, Zaimi shton se megjithatë kjo humbje zbutet me Gazment Bardhin, pasi nuk negociohet drejtpërdrejtë me ish-kryeministrin Sali Berisha, i shpallur non grata.

“Është një farë humbje, por për të zbutur humbjen e Ramës në këtë drejtim futet Bardhi në lojë, sepse nuk futet direkt non grata. Bardhi në këtë dimension futet dhe i krijon vetes një figurë qendrore brenda Rithemelimit. Nuk i dihet sa do të zgjasë sepse ka një çarje brenda Rithemelimit, por Rithemelimi është Sali Berisha, jashtë tij nuk ekziston asgjë dhe deri sa të jetë Berisha, ai do të jetë. Çfarëdo të bëjë Bardhi, çelësi i atij grupi është Berisha. Ata treguan se janë faktorizues, janë ata me të cilët mund të negociohet në këtë moment”, u shpreh Zaimi.

Marrëveshja e PS-së me Rithemelimin nga ana tjetër defaktorizon PD-në zyrtare, por për Zaimin, faji për këtë është i Lulzim Bashës. Sipas saj ai është në “apati totale” dhe jo aktiv në politikë.

“Për defaktorizimin e PD-në zyrtare, faji është vetëm i Bashës se nuk mund të dilet në politikë një herë në 3 muaj, politika është aksion i përditshëm. Kjo që ndodhi nuk është sepse Rama sulmoi Bashën, por sepse Basha është në apati totale dhe nuk është aktiv siç duhet të jenë politikanët”, arsyetoi Zaimi. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›