E Diel, 1 Nëntor 2026

Publikohen emrat e gjyqtarëve në Apel për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

PRISHTINË, 29 shtator /ATSH/ Tre gjyqtarë janë caktuar në Panelin e Apelit në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.

KosovaPress ka mësuar se gjyqtarët janë: Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

Përmes një e-maili, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se presidentja e Dhomave të Specializuara, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova, ka caktuar një Panel të Apelit për të vendosur lidhur me kërkesën e ekipeve të mbrojtjes për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimeve të apelit, si dhe për të gjitha parashtresat e palëve që lidhen me një njoftim apeli lidhur me Aktgjykimin e Gjykimit në këtë rast.

“Në vendimin e saj, Presidentja mori parasysh kriteret e përcaktuara në Rregullën 4 të Rregullores për Caktimin e Gjyqtarëve, përfshirë përvojën dhe ekspertizën përkatëse, si dhe disponueshmërinë e gjyqtarëve në këtë kohë”, përfundon e-maili.

Aktgjykimi i shkallës së parë për ish-krerët e UÇK-së është shpallur më 16 shtator, ku shqiptoi dënimin prej 81 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›