“Nisma Shqipëria Bëhet”, Zeqir Kordhoni refuzon të heqë dorë nga mandati i deputetit, pak shpresa për Ardriatik Lapajn që të ulet në Kuvend

Kandidati Zeqir Kordhoni duket se ka shuar shpresat e Ardriatik Lapajt për t’u ulur në Kuvend në shtator, pasi ka deklaruar zyrtarisht se nuk do të heqë dorë nga mandati i tij i deputetit. Në një letër drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) një ditë më parë, Kordhoni, i cili garoi në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, kërkon që të ushtrojë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues.
Kjo vjen në kundërshtim me strategjinë e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, i cili mendohet se e kishte mbushur listën e mbyllur në Tiranë me 12 emra kandidatësh “fiktivë”. Qëllimi ishte që këta kandidatë të digjnin mandatin, duke i hapur rrugë kështu kandidatit më të votuar nga lista e hapur, që në këtë rast është Adriatik Lapaj, për t’u ulur në Kuvend.
Megjithatë, Zeqir Kordhoni duket se nuk është i gatshëm të “djegë” mandatin e tij. Në letrën e tij drejtuar kryekomisnerit Ilirjan Celibashi, Kordhoni kërkon që KQZ të injorojë çdo deklaratë tjetër të bërë më parë nga Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në emër të tij.
Në deklaratën e tij të nënshkruar para noterit më 15 korrik 2025, Kordhoni shprehet qartë:
“Unë, i nënshkruari Zeqir Kordhoni, kam kandiduar për Koalicionin ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ në qarkun e Tiranës në zgjedhjet parlamentare të datës 11 Maj 2025. Përmes kësaj deklarate të nënshkruar para noterit sot, me datë 15/07/2025, dua të vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit në rast se shpallem fitues, pas shpërndarjes së mandateve në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.”
Ai vijon duke kërkuar që “KQZ të injorojë çdo deklaratë tjetër të depozituar më parë nga Koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ ose në emrin tim dhe të marrë në konsideratë vetëm këtë deklaratë si shprehje të qartë dhe të vlefshme të vullnetit tim.”
Aktualisht, fituese e mandatit të NSHB në Tiranë është Ana Dajko. Që Adriatik Lapaj të hyjë në parlament, Ana Dajko dhe 11 kandidatët e tjerë të listës së mbyllur duhet të refuzojnë mandatin, në mënyrë që vendin në Kuvend ta zërë lideri i koalicionit, i cili është edhe më i votuari nga lista e hapur. Vendimi i Kordonit e ndërlikon ndjeshëm këtë proces.
/rtsh.al/