E Diel, 1 Nëntor 2026

Publikohet himni i fushatës së PD: “Ne jemi ndryshimi”, këndohet nga “Elita 5”

04-06-2013 / Gazeta 55

Në këngën himn marrin pjesë edhe Elvana Gjata, Soni Malaj, Genta Ismaili, Vesa Luma, Vedat Ademi, Renis Gjoka e Eni Koçi. Dalja para publikut u krye në Paskuqan, ku kryeministri Berisha kujtoi se axhendë e tij për 4 vitet e ardhshme do të mbeten problemet e qytetarëve, punësimi i tyre, si dhe rritja e rrogave dhe pensioneve
Fakti/Në Paskuqan do të ndërtohen 2 parqe industriale që do të krijojnë 30 mijë vende pune

Nën entuziazmin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Paskuqanit, kryeministri Sali Berisha paraqiti himnin e fushatës së demokratëve, një këngë e kënduar nga Grupi Elita 5. Në këtë takim kreu i qeverisë tha se ka vendosur të mos merret më me Edi Ramën, pasi siç tha ai, i ka dhënë përgjigjen e duhur shprehjes së kreut të opozitës gjyshi me antiplumb. “Zoti Rama, jeta jote personale nuk do të jetë ndonjëherë axhendë e imja. Axhendë e imja do të jenë problemet e qytetarëve shqiptarë, punësimi i tyre, rrogat e pensionet e tyre që i kemi rritur e do t’i rrisim më tej, shërbimi shëndetësor, infrastruktura, shkollimi i fëmijëve të tyre. Por ti që i ke bërë vitet e jetës sime axhendë elektorale tënden, dua të të them dy fjalë. Vitet e jetës sime janë krenaria ime, janë bekimi i Zotit. Çdo njeri, çdo vit jete e ka bekim nga Zoti. Nipërit e mbesat e mia janë gurra të frymëzimit tim të jashtëzakonshëm. Kur unë i shoh ata, frymëzohem dy herë më shumë,  për të punuar për të gjithë vogëlushët e Shqipërisë. Katërvjeçari i ardhshëm ta gjejë Shqipërinë me telefonat e tyre celularë, me internet kudo. Ajo rritet gjeneratë e teknologjisë së lartë, ti rri në autobusin mavi dhe me një mungesë totale edukate mendon se mund të qortosh tjetrin, për vitet e tij”- u shpreh Berisha, duke shtuar edhe njëherë se Rama vuan nga kompleksi i Edipit. “Së dyti, por këtu do t’i bie shkurt, mos harro se unë jam mjek. Nuk kam dashur kurrë dhe nuk dua të merrem me probleme, por një gjë do të ta them. Në fëmijëri ke vuajtur nga kompleksi i Edipit dhe këtë e di gjithë Shqipëria. Ky kompleks është kompleks i rrallë, kompleksi i urrejtjes ndaj babait. Për këtë nuk je përgjegjës ti. Por tani që je baba vetë, ti duhet të frenosh, të bësh çdo gjë të mos shpallësh shprehjet e këtij kompleksi, sepse siç më thanë mediat, edhe në dokumentarin e vegjëlisë, pa kujtimet e bashkisë, babai mungonte, nuk ekzistonte. Zotëri, për këto gjëra intime të jetës tënde nuk mund të shprehësh ti urrejtje për baballarët dhe gjyshërit e tjerë, se ata kanë lumturinë e tyre, familjet e tyre. Unë nuk do të merrem më me ty, por me qytetarët, me hallet e dertet e tyre, me Shqipërinë dixhitale, Shqipërinë mobile, do merrem me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përpara drejt fitores! Votoni 44-n, votoni Partinë Demokratike, votoni Paskuqanin europian, votoni Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë Europiane”.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal te arritjet historike të Shqipërisë gjatë viteve të fundit si anëtarësimi i vendit në NATO, firmosja e MSA-së, liberalizimi i vizave me vendet e BE-së etj. “Paskuqani dhe Shqipëria nuk janë më ato që ishin pak vite më parë. Historia e tyre sot është tjetër. Në këto vite, ju ndërtuat në kodrat e Paskuqanit qytetin e 9-të më të madh të Shqipërisë. Ne së bashku ia dolëm të bëjmë Shqipërinë me rrjet rrugor modern. Në këto vite ne ndërtuam mbi 10 mijë km rrugë në mbarë Shqipërinë ndërsa në Paskuqan investuam mbi 35 herë më shumë se Partia Socialiste në 8 vitet e saj”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se në këto vite qeveria ndërtoi mbi 1400 shkolla në mbarë vendin. Sipas tij, vetëm në Paskuqan u ndërtuan 4 shkolla të reja dhe të tjera janë në ndërtim e do ndërtohen. “Në Paskuqan u ndërtuan 22 km rrugë dhe dhjetra të tjera janë në ndërtim. U ndërtuan 8 ujësjellësa dhe unë ju premtoj se do të ndërtojmë çdo ujësjellës në çdo fshat të kësaj komune”, tha Berisha, duke garantuar se projekte të mëdha do të ndërmerren që do të shndërrojnë Paskuqanin në një nga zonat më të bukura të metropolit të shqiptarëve. “Ne ndryshuam Shqipërinë, vijoi Kryeministri, sepse në mbarë vendin kemi ndërtuar mbi 360 ujësjellësa, mbi 420 sisteme kanalizimesh, 400 qendra shëndetësore dhe spitale moderne. Ai theksoi se, “këto vite Shqipëria njohu bumin turistik më të paimagjinueshëm dhe renditet në 10 vendet me rritjen më të madhe të fluksit turistik në botë”. Duke u ndalur te situata ekonomike, Berisha tha se “në këto vite të një krize të thellë ekonomike botërore, Shqipëria ia doli të ruajë rritjen ekonomike”. “Shqipëria mbeti vendi i vetëm që jo vetëm nuk pati rritje të papunësisë, por pati ulje të saj dhe krijoi 200 mijë vende pune. Ju garantoj se 4 vitet që vijnë punësimi juaj është objektivi ynë më madhor dhe se ne do të krijojmë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë 250 mijë vende pune. Ne po krijojmë klimën më miqësore ndaj biznesit, hoqëm taksat ndaj çdo lloj makinerie që u nevojitet bizneseve për prodhim”, tha Berisha. Kryeministri premtoi se në Paskuqan do të ndërtohen 2 parqe industriale që do të krijojnë 30 mijë vende pune. Gjithashtu, sipas tij, “turizmi do të marrë dimensione të reja, pasi qeveria po ndërton rrugët ezonave turistike në mënyrë që ato zona të marrin zhvillimin e fuqishëm që meritojnë dhe të nxisin punësimin”.
“Himni” i PD-së i besohet grupit Elita 5 / Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha gjatë prezantimit në Paskuqan të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit, prezantoi himnin e fushatës së demokratëve. Kryeministri i ka qëndruar grupit të njohur “Elita 5” duke i besuar sërish “himnin” e fushatës, pas suksesit të këngës “Shqipëria po ndryshon” në zgjedhjet vendore. Teksti i këngës është “Ne jemi ndryshimi/Ne çdo moment, ky vend ndryshon/te ardhmen shoh ne horizont, ne horizont/ E sotmja na përket, e ardhmja ne na prêt/dhe krenari na zgjon, ne jemi ndryshimi. Jemi ndryshimi, jemi ndryshimi/te gjithë duart t’i bashkojmë. Jemi ndryshimi, jemi ndryshimi/mbi çdo sfidë ne do fitojmë/Nën qiellin blu dhe pa re, na pret te gjithëve një dite e re/një shprese e re. Motivi ynë je ti, e jona Shqipëri, prandaj çdo dite ndryshon”. Edhe në këtë këngë Elita 5 nuk janë të vetëm, por kanë ftuar këngëtarë nga gjitha trevat e vendit. Në podiumin e PD këndojnë Dr. Flori, Vesa Luma, Genta Ismaili, Renis Lela, Ermal Mamaqi, e shumë këngëtarë të tjerë të njohur.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›