E Hënë, 2 Nëntor 2026

Publikohet raporti i Guterres: Dhuna ndaj fëmijëve në nivele të paprecedenta në 2024

Nga Rripi i Gazës deri në Republikën Demokratike të Kongos, dhuna ndaj fëmijëve në zonat e konfliktit arriti në nivele të paprecedenta vitin e shkuar.

Sipas një raporti vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, për fëmijët në konfliktet e armatosura, rastet e dhunës ndaj fëmijëve në vitin 2024 u shtuan me 25 për qind në krahasim me vitin 2023.

Raporti verifikoi 41.370 raste të shkeljeve të rënda të të drejtave të fëmijëve vitin e shkuar, përfshirë 36.221 të kryera në vitin 2024 dhe 5.149 të kryera në vitin 2023, por që u konfirmuan në 2024-ën, numri më i lartë i rasteve të tilla në 30 vitet e fundit.

Në raport vihet në dukje fakti se vitin e shkuar u vranë më shumë se 4.500 fëmijë dhe u plagosën 7 mijë të tjerë.

“Fëmijët vijojnë të mbajnë peshën e armiqësive që nuk ndalen dhe sulmeve pa dallim. Në vend që të mësojnë si të lexojnë apo të luajnë, ata detyrohen të mësojnë se si t’u mbijetojnë të shtënave me armë dhe bombardimeve. Kjo duhet të na bëjë që të mos vëmë gjumë në sy. Jemi në një pikë pa kthim,” u shpreh përfaqësuesja e veçantë e OKB-së për fëmijët dhe konfliktet e armatosura, Virginia Gamba.

Ndërsa janë vrarë më shumë se 4.500 fëmijë dhe plagosur 7.000 të tjerë, numri më i madh i rasteve të shkeljeve të të drejtave të fëmijëve – 8,500 të tilla – u raportuan në territoret palestineze. Pjesa më e madhe e këtyre shkeljeve, sipas raportit të Guterres, u kryen nga forcat izraelite. Në këto shifra përfshihen 1.259 fëmijë të vrarë në Gaza, ndërsa po verifikohet informacioni për 4.470 fëmijë të tjerë të vrarë në vitin 2024 në enklavat palestineze.

Në vend të dytë pas territoreve palestineze është Republika Demokratike e Kongos, ku janë regjistruar më shumë se 4 mijë raste të rënda të shkeljes së të drejtave të fëmijëve, për t’u pasuar nga Somalia me 2.500 të tilla, Nigeria me rreth 2.500 dhe Haiti me më shumë se 2.200.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›