Publikohet raporti i mbikqyrjes financiare, BSH: Kreditimi është ulur
Viti që lamë pas ka qenë një ndër vitet me kreditim më të ulët që prej 2008 ndërkohë që e njëjta tendencë do të vazhdojë edhe për këtë vit. Sipas Raportit të Bankës së Shqipërisë kredia gjatë vitit 2012 është rritur vetëm me 2 % nga 15.3 % që u rrit një vit më parë. Edhe pse ka pasur një rritje me 7% të depozitave për vitin 2012, kjo nuk ka pasur reflektim në nivelin e kreditimit të ekonomisë.
Kreditë më të këqia vlerësohen ato të marra nga bizneset, fakt që tregon për krizën ekonomike që ka përfshirë Shqipërinë. Ndërkohë sipas raportit të Bankës së Shqipërisë bankat e nivelit të dytë gjatë viti që lamë pas kanë pasur fitime që kanë arritur në 3.8 miliard lekë, ndërkohë që një vit më parë fitimet e tyre vlerësoheshin vetëm 706 milion lekë.
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat e bankave nga ekzekutimi i kolateraleve janë rreth 20% e shumës së kredive që ndodhen në proces ekzekutimi. Gjatë prezantimit të Raportit të Mbikëqyrjes për vitin 2012, ekspertë të Bankës së Shqipërisë u shprehën se proçesi i ekzekutimit ka përmirësime që pa miratimit të ligjit për përmbaruesit privat dhe pritet të shtohen pas miratimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile.
Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga ekzekutimet shkojnë afërsisht sa 6% e vlerës së kredive me probleme dhe ky është një tregues relativisht i mirë krahasuar me vendet e tjera. Bankat e nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë operojnë kryesisht me kapital të huaj dhe vetëm 3 janë me kapital shqiptar. Ndërkohë që kryesisht në banka veprohet me monedhën euro më pas dollari dhe leku shqiptar renditet i treti.