E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publikohet vendimi për kalimin e SHQUP-it në seli të PD-së

Publikohet në faqen zyrtare të Kryeministrisë vendimi i qeverisë për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga ministria e mbrojtjes te ministria e brendshme, të Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë, me qëllim pajisjen e Partisë Demokratike me ndërtesë, për seli qëndrore.

Ja vendimi i qeverisë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 22, shkronja b e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, Për partitë politike, të ndryshuar, dhe të neneve 8, pika 3, 13 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, Për pronat e paluajtshme të shtetit, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.   Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme, të pasurisë së paluajtshme, të konfirmuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, me emërtimin Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, me numër rendor 32, përkatësisht sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi, miratuar me vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave,  Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes, të ndryshuar.

2.    Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

3.    Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, brenda  datës 20.8.2013, të përfundojë procedurat e marrjes në dorëzim të pronës.

4.    Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin politik Partia Demokratike e Shqipërisë.

5.    Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren zyrtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›