Puci: Me Vllazninë i lajmë hesapet në Tiranë
Në radhët e skuadrës së Tiranës U-19 bën pjesë edhe futbollisti gjirokastrit Theodhori Puci, i cili ka dalë nga shkolla gjirokastrite e futbollit. Dy sezone më parë ai ka qenë pjesë e skuadrës së Luftëtarit në kategorinë e parë, fanellën e së cilës e ka veshur qysh në moshën 16-vjeçare.
Aktualisht 19 vjeç, Theodhori Puci, në rolin e mesfushorit, kërkon që të fitojë titullin me bardheblutë për të rinjë. Përcaktuese për Tiranën mbetet ndeshja me Vllazninë, që do të luhet këtë fundjavë në kryeqytet. Në një prononcim për “Sportin shqiptar”, mesfushori Puci, i cili është kontigjent edhe i skuadrës së parë që stërvitet nga trajneri Krstiçeviç, pohoi:
“Jemi pretendentë kryesorë për titullin, por duket se do të vendosë shumë ndeshja që do të luajmë pas dy javësh në “shtëpi” me Vllazninë, e cila është një nga rivalët tanë kryesorë në luftën për titullin kampion. Gara është bërë e ashpër, por natyrisht që ka pasur edhe “pengesa” jo të lehta për Tiranën.
Besoj se titulli do të jetë yni në fund të sezonit, sepse jemi skuadra më e mirë në kampionatin e të rinjve, por edhe me shumë lojtarë cilësorë. Vetëm nga ekipi ynë ka 5-6 lojtarë që stërviten në skuadrën e parë.
Puna që ka bërë trajneri Bedri Omuri jam i bindur që do të kurorëzohet me sukses në fund të këtij edicioni, ku besoj se do të shpallemi kampionë,” – pohoi në mbyllje të fjalës së tij mesfushori i Tiranës U-19, Theodhori Puci.