Çaku: Ky titull po më shijon shumë
Pas triumfit të 15-vjeçarëve akademia “Vllaznia” ka fituar edhe kampionatin e 17-vjeçarëve
Suksesi i këtij sezoni e ka ekzaltuar pa masë. Ky është titulli i parë kampion për të si trajner dhe natyrisht që i ka dhuruar emocione. Entri Çaku po jeton momente shumë të lumtura, pasi ka arritur të shpallet kampion me ekipin e 17-vjeçarëve të Vllaznisë.
Çaku, ky titull kampion më duket se ju ka entuziazmuar shumë, apo jo?
Sigurisht, pasi është titulli i parë kampion në karrierën time sportive, si futbollist dhe si trajner.
Në fillim të kampionatit nuk e kishit menduar një gjë të tillë. Nuk besonit te kjo skuadër?
Problemi nuk është se nuk besoja. Thjesht skuadra kishte pësuar një transformim të thellë nga një sezon më parë, sepse i ishin larguar plot 15 futbollistë. Megjithatë, nga ndeshja në ndeshje, besimi erdhi duke u rritur, duke kërkuar maksimumin nga çdo futbollist në ndeshjet e luajtura. Faza e dytë ka qenë e jashtëzakonshme për Vllazninë. Kemi arritur 11 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje në javën e parë të saj.
Kujt ia dedikoni këtë sukses?
Të gjithëve që kanë kontribuar për titullin. Në veçanti sportistët, që dhanë më të mirën e tyre.
A mund të na jepni emrat e protagonistëve të këtij suksesi?
Nuk kam pranuar asnjëherë t’i veçoj sportistët, por tashmë që jemi kampionë, nuk mund t’i lë pa përmendur të gjithë. Duke filluar nga portieri Curri, dy mbrojtësit e qendrës Nikshiqi e Balaj, anësorët Alikokej e Ruçi, mesfushorët Daniel e Xhevahir Hasaj, Hepaj, Ymeri e Vecaj si dhe sulmuesit Kalaja e Idrizi. Pa lënë mënjanë edhe lojtarë të tjerë që kanë dhënë jo pak kontribut si Kiri, Arrinaj, Pjeshka, Gjelaj e portieri Spahija.
Zakonisht, te moshat qëllimi është evidentimi i lojtarëve të perspektivës. A ka elementë që premtojnë për të ardhmen tek skuadra juaj?
Sigurisht që ka. Kur këta fëmijë rriten në karrierë me trofe, është e lehtë për ta edhe në të ardhmen. Aq më tepër që filozofia e klubit “Vllaznia” është për të triumfuar gjithnjë.
Së fundi, sa cilësi ka në kampionatet e moshave?
Mund të ketë probleme, por ka edhe shumë gjëra të mira. Rivaliteti me Dinamon, Teutën, Tiranën, Elbasanin etj., është shumë pozitiv, sepse i ndihmon këta sportistë të rriten profesionalisht.