Puka në zi për 14 viktimat e tragjedisë

Presidenti viziton të mbijetuarit e tragjedisë së Pukës dhe apelon që qytetarët të jenë bashkëpunues me policinë
Topi: Duhet të bashkëpunojmë me forcat e rendit
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi sërish në Spitalin Ushtarak, të plagosurit që i mbijetuan aksidentit tragjik rrugor të autobusit në aksin Rrëshen-Fushë Arrëz. Kreu i shtetit apeloi për më shumë vlerësim për jetën njerëzore.
"Padyshim që apeli i parë i jepet çdo qytetari. Duhet ta vlerësojmë të gjithë, sepse jeta jepet vetëm një herë! Jeta është shumë e shtrenjtë dhe për jetën duhet të kujdesemi!
Dhe unë mendoj që është një apel që u shkon të gjithë drejtuesve të automjeteve, sidomos atyre që i shërbejnë publikut që duhet të bëjnë patjetër një kujdes të jashtëzakonshëm e të mendojnë për jetën e tyre! Unë mendoj që duhet t'i japim rrugë",- theksoi presidenti Topi. Kreu i shtetit i kërkoi qytetarëve që të bashkëpunojnë me forcat e rendit dhe t'i shohin si persona që janë në shërbim të tyre.
"Duhet të bashkëpunojmë me ligjin! Nuk duhet parë polici rrugor si personi që të vendos gjobën, përkundrazi! Ai duhet të shikohet si personi që i shërben ligjit, që u shërben qytetarëve, që i shërben atij që i jep makinës, por edhe atij që është këmbësor", -theksoi numri një i shtetit.
Presidenti premtoi mbështetjen e strukturave shtetërore për familjet e viktimave dhe u shpreh se është në detyrimin të qeverisë që të merren të gjitha masat, jo vetëm për kalimin e kësaj situate traumatike, por për të gjitha trajtimet e mëtejshme.
I shoqëruar nga Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Miha, dhe nga mjeku koordinator Erjon Spaho, Kryetari i Shtetit u ndal në dhomat ku janë shtruar dhe po kurohen të plagosurit e nxjerrë tashmë nga reanimacioni, midis të cilëve janë edhe disa fëmijë duke u interesuar personalisht dhe nga afër për gjendjen e tyre shëndetësore. Luis Tanushi
Njerëz kokëulur dhe rroba të zeza. Kjo është panorama e përmortshme që mbizotëron në Pukë. Familjarët e viktimave tregojnë momente të tragjedisë dhe luten për të ardhmen e të plagosurve që ndodhen në spital
PUKË- E gjithë Puka dje ishte në zi. Njerëzit ecnin kokëulur dhe hapat i rëndonin më shumë se sa zakonisht. Kjo krahinë që ka jetuar gjithmonë mes halleve duhet të kalojë edhe fatkeqësinë e radhës, vdekjen e 14 bijve të saj në aksidentin automobilistik.
Në Fushë Arrës, Gjegjan, Shkozë, Mesul etj, sheh vetëm grumbuj njerëzish që drejtohen për ngushëlime në familjet e viktimave.
Pesha e zisë që ka pushtuar këto fshatra të varfër vërehet tek të gjithë, ndërsa të heshtur flasin pak, duke u shprehur se ishte një fatkeqësi dhe pasojat e saj janë të mëdha.
Dhe më të mëdha pasojat janë tek ato familje që kanë më shumë se një viktimë. "14 viktima nuk janë pak por lutemi të shpëtojnë ato që ndodhen në spital dhe të mos ketë të vdekur të tjerë",- thotë Gjon Gjini, banor i komunës Gjegjan, nga fshatrat e të cilës ka patur më shumë viktima.
Edhe familjarët e viktimave duket sikur në një farë mënyre kanë bërë pakt me vdekjen dhe i kërkojnë asaj që të mos marrë me jetë të tjera. Shumë syresh shprehin merakun e madh që kanë për të plagosurit, pasi siç shprehen ata: "këta që vdiqën nuk kthehen më, por së paku të shpëtojnë ata që janë akoma gjallë".
Në familjen Gjoni në fshatin Shkozë, burrat janë vendosur në radhë sipas zakonit, që në fillim të rrugës në të majtë të rrugës automobilistike pranë urës në fshatin Shkozë. Rreshti i gjatë i burrave shoqëron ata që vijnë për ngushëllim deri në oborrin e banesës së thjeshtë, poshtë rrugës. Në oborr, gratë vajtojnë 28- vjeçarin Paulin Gjoni, një prej viktimave të aksidentit në fshatin Dom.
Babai i viktimës, Lazër Gjoni, me një dorë të fashuar pasi e ka dëmtuar, pret ngushëllime, ndërsa shprehet se shteti u përpoq të bënte gjithçka, me mjekë, autoambulanca , helikopterë, por fati nuk e ndihmoi as djalin e tij dhe as viktimat e tjera. Nga të afërm të kësaj familjeje, mësohet se Paulini ishte i fejuar dhe kishte qenë në Shpal. Atje ka dalë në rrugë dhe ka hipur në autobuzin e linjës Durrës-Fushë Arrës që kalon çdo ditë. Familja e tij ka dhe një djalë tjetër dhe katër vajza.
Gratë që vajtojnë mbi trupin e pajetë të 28- vjeçarit përmendin faktin që vdekja e mori atë përpara se të martohej e të bëhej dhëndër.
Në krahun tjetër të këtij fshati, në të djathtë të rrugës, në një pjesë të ngritur, ndodhet banesa e familjes Marku. Këtu janë dy viktima, Alma Marku, 33 vjeçe, dhe djali i saj Arsen Marku, 8 vjeç, ndërsa bashkëshorti dhe babai i viktimave, Gjon Marku, 40 vjeç dhe vajza e tij Albiola, 6 vjeçe, ndodhen të shtruara në spitalin ushtarak të Tiranës.
Të afërmit tregojnë se familja e Gjon Markut është nga Shkoza por prej vitesh jeton në Mamurras. Madje para një jave ato janë zhvendosur dhe kanë marrë shtëpi në Lezhë.
Gjoni dhe gruaja e tij Alma ishin mësues me shkollë të lartë dhe punon në Mamurras. Të shtunën ata janë nisur të vijnë tek të afërmit e tyre në Shkozë për të pushuar.
"Një javë më parë u shpërngulën në banesën e re në Lezhë. Ishim me ta në një dasmë dhe thanë se tani që i kryen punët me shtëpinë dhe kanë pushimet e shkollës do vijnë të qëndrojnë disa ditë për pushime këtu në Shkozë.
I prisnim dhe sapo morëm vesh për autobuzin u lëshuam menjëherë në Dom pasi e parandjemë se na kishte ndodhur kjo gjëmë",- tregon një i afërm i familjes. Varrimi i tyre do bëhet në Shkozë, do dalin nga banesa e vëllait të Gjonit por meraku mbetet për Gjonin dhe vajzën që janë në spital.
Në familjen Peraj në fshatin Mesul, dhimbja është e madhe pasi kjo familje e varfër akoma nuk i kishte mbyllur dyert e mortit për kryefamiljarin Gjin Peraj, 44 vjeç, të vdekur aksidentalisht më 8 qershor ndërsa priste drurë me motosharrë në pyll. Motosharra i ka rrëshqitur nga duart dhe e ka dëmtuar.
Ndonëse u dërgua me helikopter në Tiranë, ai gjeti vdekjen. Por fatkeqësitë e kanë ndjekur këtë familje, ku në autobuzin e rrëzuar në Dom të shtunën ndodheshin dhe tre pjesëtarë të familjes, Flora 38 vjeçe, Gjovalini 15 vjeç dhe Eriksoni 9 vjeç. Gjovalini, djali i Gjinit, ka gjetur vdekjen ndërsa Flora e Eriksoni ndodhen në spitalin ushtarak në Tiranë.