Vrasja e biznesmenit, ngrihen tre pista hetimi

Policia shprehet se deri më tani ka vetëm të shoqëruar të cilët janë marrë në pyetje e më pas janë liruar
VLORË - Ngrihen tre pista hetimi lidhur me ekzekutimin me armë zjarri të ndërtuesit Kaçandon Shehaj. 37-vjeçari u vra me 7 plumba pistolete pasi kishte future automjetin e tij në garazhin pranë shtëpisë, në zonën e Ujit të Ftohtë. Burime nga policia bëjnë të ditur se oficerët janë përqendruar në tre pista kryesore. Së pari, do të hetohet lidhur me periudhën kur viktima ishte emigrant në shtetin fqinj në Itali. Më pas, një nga pistat është edhe ajo e pronësisë, duke qenë se Shehaj ishte bashkëpronar në disa ndërtime që po kryheshin në qytetin bregdetar.
Dhe së fundmi, dyshohet edhe që 37-vjeçari të ketë pasur ndonjë konflikt të momentit për shkak të karakterit të tij. Gjithsesi, mësohet se janë marrë në pyetje persona të ndryshëm, familjarë dhe të njohur të ndërtuesit, të cilët mund të japin më tepër detaje lidhur me vrasjen e ndodhur. Gjithsesi, deri më tani nuk ka asnjë emër konkret, vetëm të dyshuar. Të gjithë personat e marrë në pyetje, pas dhënies së dëshmisë janë lënë të lirë. 37- vjeçari Kaçandon Shehaj u ekzekutua rreth orës 01:00 të së premtes. Ai është qëlluar me 7 plumba pistolete dhe ka mbetur i vdekur në vend. Varrimi i tij u bë dje në fshatin Gumenicë, prej nga ishte. Ndërtuesi ishte babai i dy fëmijëve.