E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna e mjekut flet më shumë

Dr. Shk. Arben Zeneli

Me këto pak rreshta dëshiroj të shpreh  atë çfarë përjetova në Spitalin Ushtarak, ditën që u aksidentuan të pafatët studentë të universitetit Aleksandër Xhuvani. Në duart e mjekëve të këtij spitali, që profesionin e kanë ngritur në art, studentëve iu dha ndihma e menjëhershme, ndërkohë që të pranishëm ishin shumë njerëz që donin të kontribuonin secili me mundësitë e tij. Aty ishte si gjithmonë i nderuari profesor Panajot Boga, i cili me të dëgjuar lajmin në televizor, edhe pse jashtë detyrimit ligjor për të qenë prezent në spital, morali e bëri të ishte aty në ndihmë të kolegëve më të rinj. Aty ishte doktor Mihali e Perlati, doktor Mondi e Dini, aty ishte i gjithë vendi. Por erdhën edhe ata që prej kohësh duan që tu zhvasin shqiptarëve këtë qendër të rëndësishme  shëndetësore. Erdhën ata që si ministra firmosën ta sharronin në mes institucionin me të cilin u krenuan në 97, u krenuan me Gërdecin e po krenohen edhe tani me rastet tragjike të vendit. Kanë harruar vallë që firma e tyre flakte si plehrë investimin gati 70-vjeçar që shteti ka bërë në këtë qendër. Firma e tyre sfidonte pa hezitim investimin profesional brenda dhe jashtë vendit të të gjithë atyre njerëzve që shihen nga populli si te dërguarit e Zotit në tokë. Ishte e fortë përplasja në heshtje, veçanërisht atë ditë në Spitalin Ushtarak.

Ballafaqim i hapur,pa kompromis mes jetës dhe vdekjes, mes profesionalizmit, përkushtimit, moralit dhe papërgjegjshmërisë, mendjelehtësisë e imoralitetit. Të regjur me trauma të rënda, të specializuar me vite të tëra në vendet  perëndimore, me veprime të shpejta e të sakta, pa nevojën e kamerave televizive për reklamë, u arrit që në të paktën tre nga studentët ti ikin vdekjes në çastin e fundit. E prerë në mes para 5 vitesh e me thikë në fyt tani, ashtu sikurse dhe me ngjarjen e Gërdecit ku viktimat nuk do të ishin 26, por 76, kjo qendër me njerëzit e saj profesionalisht të arrirë e moralisht të përkushtuar, ndaloi si me shkop magjik vdekjen që vërtitej për jetët e të tjera studenteve. E di që iu mungon dëshira për të rregulluar, iu mungon profesionalizmi, iu mungon frika nga ligji, por nuk e di nëse keni frikë nga Zoti, juve që doni të zhbëni atë që është krijuar me shumë mund e sakrifica.

Kujdes me firmat që hidhni – i thoshte një miku im një gjenerali. Dhe gjeneralin e hëngri firma e hedhur pa përgjegjësi. Kujdes me Qendrën Kombëtare të Traumës zotërinj! Mos u tregoni fodullë me të. Do ju nevojitet investimi i atyre njerëzve dhe asaj strukture. Ato janë pasuri kombëtare, ndaj hiquani ferrat nga këmbët.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›