E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishmashi i arsimit shqiptar

Agim Fjolla

Në Londrën e para pavarësisë shqiptare lindi një debat publik pas vjedhjes së një prej galerive private të artit që zotëronte një koleksion të veçantë veprash nga rilindja italiane. Roja i turnit të natës i ishte dorëzuar gjumit dhe këtë dobësi të moshës e kishte përdorur hajduti i cili vodhi plot pesë piktura. Kjo ngjarje shërbeu si nisje e një debati ku përzihej detyrimi moral me detyrimin ligjor ku njëra palë e hidhte rojën në anën e fajtorëve duke kërkuar dënimin e tij për shkak të përgjumjes, ndërkohë që në krahun tjetër thuhej se nuk kishte pse të dënohej pasi nuk ishe ai keqbërësi por personi që grabiti pikturat. Këto debate publike e lagu se lagu, me angazhim edhe të shtypit, ishin shumë në modë në Londrën e 1910-ës.

Po të marrim debatin e Londrës së para vitit 1912, ta transportojmë në Shqipërinë që ka kaluar dy lufta botërore, që është çliruar nga serbët, grekët, fashistët, nazistët dhe komunistët, ti bëjmë edhe një përkthim sipas lajmit të sotëm, besoj se do kishim këtë pyetje: Çfarë po bënte roja i arsimit të lartë në Shqipëri kur në galerinë e një universiteti shqiptar po diplomohej një person që jo vetëm nuk di shqip por edhe e urren atë? Opinioni i përgjithshëm në rastin e MASH, ndryshe nga çishte për rojën e thinjur anglez, nuk beson se po flinte por që ishte me një sy të mbyllur. Unë dua të besoj se ishte në gjumë, si ai roja i lodhur nga thinjat në Londrën e largët në hapësirë dhe kohë. Por prapë a e bën dremitja MASH-in më pak fajtore?

Nuk është e pranueshme që administrata, e cila mbahet me takstat e qytetarëve, e ndërtuar për të vigjiluar për të mirën e shoqërisë, të zgjohet nga gjumi vetëm kur një gazetar italian të merrej me ne fqinjët. Nuk ishte e nevojshme që zgjimi i një organike rrogëtarësh të ndodhte nga zhurmat matanë detit. Një gjumë kaq i thellë nuk i falet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës pasi ka qenë në kontakt prej kohësh me kërkesat plot zhurmë në media dhe institucione të disa prej universiteteve prestigjioze në vend, që të ushtrohen kontrolle, monitorime, vlerësime, klasifikime apo pikësime të çdo hallke të sistemit universitar për të ruajtur cilësinë. Është ndër rastet e vetme në Shqipëri ku institucionet kërkojnë kontroll dhe filtrim të tyrin. Por prapë MASH nuk e prishi gjumin nga këto ngacmime. Janë më të bukura ëndrrat me fusha plot lule ku të gjithë punonjësit enden lart e poshtë të lumtur pa pasur nevojë të punojnë. Pavarësisht kërkesës së këtyre akademikëve për ta zgjuar rojën e arsimit të lartë, MASH e kishte ndarë mendjen për gjumë letargjik prej më shumë se 20 vitesh dhe kthehej në krahun tjetër ku ka më pak bezdisje.

Meqë universiteti ligj-shkelës do të dënohet më një vit mos-pjesëmarrje në thirrjen e studentëve të rinj, besoj se duhet të ketë edhe një ndëshkim për gjithë ata funksionarë të kësaj Ministrie, të cilët menaxhojnë të ardhmen e vendit. Në gjithë këtë histori midis gjumit, ëndrrave për të ardhmen dhe zgjimit të dhunshëm, të gjithë drejtuesit e MASH nuk mund të mjaftohen vetëm me një prishje gjumi por duhet të marrin një dënim, të paktën për mos-dëgjimin e zërave që vinin nga brenda vendit dhe nga vetë universitetet. Ndoshta këta drejtues e politikanë gjumashë në rastin më të mirë duhet të ndalohen që të paktën për disa vite të mos luajnë me të ardhmen, mos ti jepej më kjo mundësi. Për punonjësit e MASH të paktën ta fillonim nga një ndëshkim simbolik, por shumë i dhimbshëm për një punonjës administrate, të detyrohen të bëjnë punën për të cilën paguhen e që të mos e kemi arsimin një mishmash.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›