E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna per ndertimin e TAP

Puna për ndërtimin e gazsjellësit TAP do të nisë së shpejti. Kjo i është konfirmuar Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri gjatë takimeve që ai pati me drejtuesit e konsorciumit që zotëron fushën gazmbajtëse të Shah Denizit në Azerbajxhan.

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë thuhet se ministri Gjiknuri zhvilloi sot një vizitë në Baku ku u takua me drejtuesin e kompanisë azere Socar dhe drejtues të BP, Axpo dhe të tjerave kompani të përfshira në marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit. Drejtuesit e projektit TAP i shprehën ministrit Gjiknuri kënaqësinë për gatishmërinë e shfaqur nga qeveria e re e Shqipërisë për mbështetjen e vecantë të projektit. Ata pohuan se mirëpresin angazhimin e ekzekutivit për ngritjen e një Task Force për çuarjen përpara të projektit. Nga ana e tij, ministri Gjiknuri mori garanci se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e infrastrukturës ndihmëse dhe se drejtuesit e projektit janë shprehur të gatshëm për të financuar përgatitjen e masterplanit për gazifikimin e vendit tonë. Në takime është diskutuar gjithashtu edhe mundësia për përfshirjen në projekt edhe të Kosovës dhe Kroacisë me anë të një degëzimi. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›