E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtori humbi jetën në kantier, arrestohet administratori i kompanisë së ndërtimit në aeroportin e Vlorës

Pas hetimeve për ngjarjen tragjike të ndodhur këtë të enjte, ku humbi jetën një 38-vjeçar gjatë punimeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, u arrestua administratori i kompanisë së ndërtimit.

Ai akuzohet për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dyshohet se nuk ka zbatuar detyrimet ligjore për garantimin e kushteve të sigurisë për punonjësit në kantier.

Po ashtu, nisi procedimi penal edhe ndaj përgjegjësit të punimeve.

Viktima ishte punonjës i kompanisë së ndërtimit. Ai ra nga lartësia ndërsa po punonte brenda kantierit, dhe fatkeqësisht ndërroi jetë në vendngjarje.

“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 19.04.2025, në ambientet e aeroportit në ndërtim, në Akërni, ku humbi jetën si pasojë e rrëzimit nga lartësia, shtetasi D. H., 38 vjeç, punonjës i kompanisë së ndërtimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë së ndërtimit, si dhe nisën procedimin penal për shtetasin U. S., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës i punimeve në të njëjtën kompani. Këta shtetas dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për zbatimin e masave të sigurisë teknike në vendin e punës, çka ka sjellë si pasojë vdekjen e punonjësit D. H.”, thuhet në njoftimin e policisë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›