E Diel, 1 Nëntor 2026

10 vatra aktive në vend, më problematike zjarret në Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Malin e Dajtit

10 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa qarqe të vendit, ndërsa 9 të tjera janë nën mbikëqyrje. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës së sotme janë raportuar gjithsej 19 vatra, ndërsa situata më problematike paraqitet në zonat malore të qarqeve Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Fier.

Në Malin e Dajtit zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa në Dibër janë aktive disa vatra në Lundre–Madhesh, Cerrujë–Mali i Allushit, Selishtë dhe Pleshë. Edhe në Lezhë, vatra përgjatë Kalivaç–Zimaj–Rras i Butë–Ungrej vijon të jetë aktive.

Në qarkun e Shkodrës, aktive mbeten vatrat në Porav, Mnelë e Madhe dhe Rragam. Në këtë të fundit vijon ndërhyrja e strukturave zjarrfikëse, Shërbimit Pyjor, forcave bashkiake dhe Emergjencave Civile. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Edhe në Mallakastër, vatra në Çërrilë vijon aktive, ndërsa në Fier, Peshtani mbahet nën mbikëqyrje. Në Elbasan, vatrat në Qukës dhe Gurëshpatë janë nën kontroll dhe monitorim.

Në Malin e Dajtit, ku zjarri vijon aktiv, në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse, të ADZM-së dhe të Forcave të Armatosura. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në operacionet për përballimin e situatës, Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 130 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 13 mjete, 1 autoambulancë dhe 1 dron. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon.

Ndërkohë, disa vatra të tjera janë izoluar dhe vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje. Në Tiranë, zjarret në Malin e Bërzhitës dhe në Malin me Gropa janë të izoluara, ndërsa në Dibër, Qafa e Helmesit monitorohet nga strukturat në terren. Në Lezhë, vatra në Gallatë të Kurbinit është gjithashtu nën mbikëqyrje.

Në Korçë, zjarri pranë Oparit nuk paraqet rrezik për banesat.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›