Punime në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet përkohësisht qarkullimi nga 1-3 shtator

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Autostrada Tiranë-Durrës do të bllokohet përkohësisht në të dyja drejtimet më 1, 2 dhe 3 shtator 2026.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se kufizimet do të jenë në fuqi gjatë orëve të natës, nga ora 23:00 deri në 05:00.
Ndërhyrja lidhet me vijimin e punimeve për projektin e zgjerimit të Superstradës Tiranë-Durrës, Faza III. Gjatë kësaj kohe do të kryhet montimi i trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit.
Sipas ARRSH-së qarkullimi në drejtim të Durrësit dhe Tiranës do të devijohet përkohësisht në rrugët dytësore.
Mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, do të devijohen që në nyjën e hyrjes së kryeqytetit. Ndërkohë, automjetet që udhëtojnë drejt Rinasit, Shkodrës dhe Kosovës do të orientohen përmes mbikalimit Kashar-Thumanë.
ARRSH u kërkon drejtuesve të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe të ndjekin sinjalistikën e përkohshme gjatë gjithë kohës së ndërhyrjes.
“Gjatë gjithë periudhës së ndërhyrjes do të jetë e pranishme sinjalistika e përkohshme rrugore, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë të lutur të ndjekin me përpikëri sinjalizimin dhe udhëzimet e personelit të angazhuar për menaxhimin e trafikut”, thuhet në njoftimin për shtyp të ARRSH-së.
Gjatë këtij intervali kohor, qarkullimi i mjeteve do të menaxhohet dhe devijohet sipas skemës së mëposhtme:
Drejtimi Tiranë–Durrës
Mjetet do të devijohen nëpërmjet rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë lëvizjen në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet nëpërmjet rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.
Mjetet e rënda, veçanërisht kamionët
Për shkak të karakteristikave të qarkullimit dhe punimeve që do të kryhen, mjetet e rënda do të devijohen që nga nyja “Casa Italia”, duke vijuar nëpërmjet rrugës dytësore.
Drejtimi Durrës–Tiranë
Mjetet do të devijohen nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë, duke vijuar në rrugën dytësore në anën e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, nga ku do të rikthehen në autostradë.
Mjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën
Këto mjete do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar më tej në drejtimin përkatës.
1 nga 4/m.m/r.e/