Punonjës të huaj në fasoneri, Mizing Mej ka ardhur nga Mianmari për të punuar në Gjirokastër: Dua të qëndroj këtu

Prej disa muaj është zhvendosur nga Mianmari në Gjirokastër. 28-vjeçarja nga Azia është punonjëse e një fasonerie në qytetin e gurtë. Tashmë realiteti shqiptar është kthyer në një përditshmëri të saj, por ajo tregon se ditët e para nuk kanë qenë të lehta.
“Në fillim kisha frikë sepse nuk njihja askënd dhe nuk dija gjuhën, por kur nisa punën çdo gjë ndryshoi. Kushtet në fasoneri janë shumë të mira, puna është e rregullt dhe pagesa më ndihmon të jetoj mirë këtu”, tha Mizing Mej.
Që nga dita e parë, ajo është ndjerë e respektuar nga kolegët dhe është përshtatur shumë mirë me jetën në Shqipëri.
“Koleget e mia janë shumë të sjellshme, më ndihmuan që në fillim dhe tani mësoj shqip nga ato. Njerëzit në Gjirokastër janë të ngrohtë, nuk më kanë bërë të ndihem asnjëherë e huaj”, tregon ajo.
Në vendin ku punon, Mizing Mej trajtohet e barabartë si të gjithë punonjësit, duke bërë që në Shqipëri të ketë një jetë të qetë, punë të ndershme dhe njerëz pa paragjykime.
“Unë dua të qëndroj këtu, kam një jetë të mirë, ndihem e qetë dhe e respektuar. Për një vajzë si unë që ka ardhur nga larg, kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Mizing Mej.
Kjo 28-vjeçare është një ndër shumë të huaj që punojnë në industrinë fason në vendin tonë, ndërsa Shqipëria po ofron një vend për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt.
/rtsh.al/