Zjarret- 20 vatra të regjistruara në 24 orë, 4 ende aktive. Parku i Lurës vijon të jetë “nën pushtetin” e flakëve

Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 20 vatra zjarri. Katër prej tyre vijojnë të jenë aktive, teksa po ashtu edhe në Parkun e Lurës nuk është bërë ende e mundur shuarja zjarrit që vijon prej disa ditësh tashmë.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se zjarri në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve” në Lurë po zhvillohet në dy vatra. Njëra prej tyre po zhvillohet në drejtim të Lurës, rreth liqenit të Zi dhe po punohet nga forcat operacionale, por terreni i keq dhe intensiteti i madh që ka zjarri vështirëson punën për vendosjen e saj nën kontroll.
Ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pjesën e sipërme nga krahu i Malit të Dejës, por po mbahet nën monitorim për shkak të sipërfaqes së madhe që ka përshkuar. Në operacion për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 23 forca operacionale dhe 30 forca nga FA, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
Në Bulqizë vijon të jetë aktiv zjarri në zonën e “Malit të Peladhisë”. Vatra e zjarrit është zhvendosur në lartësinë mbi fshatin Krajkë, duke djegur rreth 33 ha sipërfaqe me dushqe, shkurre dhe barishte.
Në Mallakastër vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe nën kurorë, midis kufirit ndarës të fshatit Drenovë, Belishovë, dhe fshatit Gorishovë. Vatra e zjarrit ka marrë zgjerim të perimetrit, për shkak të erës.
Edhe në Borsh të Vlorës vatra e zjarrit vijon të jetë aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në mbrëmje vatra e zjarrit u izolua, por mëngjesin e sotëm zjarrit është riaktivizuar përsëri në një sipërfaqe me shkurre pranë banesave, e cila vështirëson ndërhyrjen me trupa, pasi është terren i vështirë. Ditën e sotme po punojnë për shuarjen e tij 4 efektivë të MZSH Himarë dhe 1 helikopter i FA-së.
Si pasojë e zjarreve janë djegur rreth 52 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 90 rrënjë ullinj.
/rtsh.al/