Punonjësi i Bashkisë Tropojë humbi jetën gjatë punës, arrestohen drejtori dhe drejtuesi teknik

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Policia e Kukësit njofton se, në vijim të veprimeve hetimore lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Tropojë, ku humbi jetën një punonjës i Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë dhe mbetën të plagosur tre të tjerë, ka arrestuar drejtorin e Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit dhe drejtuesin teknik të punimeve.
Sipas njoftimit, të arrestuarit për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” janë N. Gj., 36 vjeç, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë drejtues teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë, të cilët po vendosnin një shtyllë ndriçimi në bazament, kanë humbur ekuilibrin, duke bërë që shtylla të prekë telat elektrikë dhe të përcjellë rrymën te punonjësit.
Si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike, humbi jetën punonjësi M. S., ndërsa u dëmtuan A. D., I. D. dhe A. A. Të tre të dëmtuarit u transportuan për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/a.f/