Rrezik i lartë për zjarre në Shkodër, Elbasan dhe Fier, temperaturat deri në 33°C

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave informon se gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme pritet nivel rreziku “i lartë” për zjarre në qarqet Shkodër, Elbasan dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera vendi parashikohet nivel rreziku “i moderuar”.
Sipas parashikimit, në disa qarqe rreziku “i lartë” do të jetë vetëm në zona të lokalizuara. Konkretisht, bëhet fjalë për verilindjen e qarkut Lezhë, verilindjen e qarkut Tiranë dhe verilindjen e qarkut Berat.
Sipas IGJEO-s, sa i përket reshjeve, gjatë pasdites së sotme dhe ditës së enjte, 10 shtator, priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun e Korçës, të shoqëruara me shtrëngata.
Në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje të dobëta, ndërsa në qarqet e tjera reshje lokalisht të dobëta.
Temperaturat e ajrit gjatë ditës së nesërme pritet të luhaten nga 20°C deri në 31°C në zonat bregdetare, nga 19°C deri në 33°C në vendet e ulëta dhe nga 14°C deri në 32°C në zonat malore.
Era pritet të fryjë me shpejtësi të ulët deri mesatare gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.

/e.i/a.f/