E Hënë, 2 Nëntor 2026

Punonjësit e huaj sezonalë të shtyrë jo vetëm nga paga, por edhe dëshira për të njohur Shqipërinë

Nëse dikur prania e punonjësve të huaj në Gjirokastër dukej e pazakontë, sot kjo është kthyer në një normalitet. Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, shumë biznese kanë zgjedhur të punësojnë të huaj.

Një prej tyre është edhe Meili Voleboll, 34-vjeçar nga Filipinet, i cili prej disa muajsh punon në një subjekt turistik në Pazarin e Vjetër të qytetit.

“Unë kam disa muaj që jetoj dhe punoj në Gjirokastër. Fillimi nuk ishte i lehtë, sepse gjithçka ishte e re për mua, por shpejt u mësova me vendin dhe me njerëzit. Kushtet e punës janë të mira, puna është e rregullt dhe më pëlqen ajo që bëj çdo ditë. Ndihem i respektuar dhe kjo për mua është shumë e rëndësishme”, u shpreh Meili.

Përveç punës, Meili thotë se ajo që e ka bërë të ndihet i integruar është mikpritja e gjirokastritëve. Ai shprehet se pasi të përfundojë kontrata, dëshira e tij është të qëndrojë më gjatë në Shqipëri.

“Çfarë më ka bërë të ndihem vërtet mirë këtu është mikpritja e njerëzve. Ata më kanë pritur me shumë ngrohtësi dhe më kanë bërë të ndihem sikur jam në shtëpi. Kam krijuar miq dhe tashmë Gjirokastra është bërë një vend ku ndihem i sigurt dhe i qetë. Edhe kur të mbarojë kontrata ime e punës, unë do të doja të qëndroja më gjatë këtu, sepse më pëlqen jeta këtu”, tha ai.

Historia e Meili Voleboll është tregues i transformimit social dhe ekonomik që po përjeton Gjirokastra, ku integrimi i punonjësve të huaj po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›