E Diel, 1 Nëntor 2026

Punonjësit me paga të ulëta kanë paguar dy herë më shumë tatime sesa vjet, në 4 muaj

Gjatë muajve të parë të këtij viti grafiku i realizimit të të ardhurave nga administrata e tatimeve kulmon te të ardhurat nga pagat, të cilat kanë shkuar në rreth 80 për qind më shumë sesa plani i parashikuar në buxhetin e shtetit. Asnjë lloj tjetër e ardhure nuk është realizuar në këtë nivel, madje asnjë lloj e ardhure nuk ka kaluar 15 përqindëshin më shumë sesa plani. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë me dije se, rritja në këto nivele e të ardhurave nga tatimi mbi pagën është pasojë e drejtpërdrejtë e zbatimit të pagave referencë ose më saktë e pagave minimale të caktuara për biznesin nga qeveria.

Siç dihet, tashmë çdo punëdhënës është i detyruar të raportojë një nivel page të caktuar për secilin punonjës ose një nivel i cili nuk mund të jetë më i ulët sesa paga e caktuar nga qeveria. Por, jo vetëm niveli i caktuar i pagës ka qenë faktori i rritjes së tatimit mbi të ardhurat në këtë nivel. Nga janari e deri më tani, numri i punonjësve që paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, është rritur me vetëm 6 për qind, çka do të thotë se rritja e tatimpaguesve nuk është një faktor i rëndësishëm në rritjen e të ardhurave. Faktori kryesor është paga e caktuar nga qeveria, por edhe niveli i tatimit mbi të ardhurat, i cili është dhjetë për qind. Vitin e shkuar, tatimi mbi të ardhurat personale ishte progresiv dhe fillonte nga 1 për qind për pagat deri në 20 mijë lekë dhe përfundonte në 20 për qind për pagat e larta. Sheshimi i kësaj takse ka bërë që masa e madhe e punonjësve me paga të ulëta, të cilët përbëjnë 96 për qind të gjithë numrit të punonjësve të regjistruar, të paguajnë një tatim mbi të ardhurat personale në masën 10 për qind. Ligji parashikon që për këtë kategori punonjësish të mos paguhet fare tatim mbi të ardhurat personale për 10 mijë lekëshin e parë e kështu ata paguajnë tatim vetëm për pjesën që mbetet. Një punonjës që merr një rrogë 20 mijë lekë në muaj paguan tatim mbi të ardhurat personale në masën 10 për qind vetëm për 10 miljë lekë të pagës, ose e thënë ndryshe paguan 5 për qind tatimi fitimi. Ky punonjës vjet paguante vetëm 1 për qind e tani paguan 5 për qind, pra paguan pesë herë më shumë sesa vjet. E tërë kjo skemë e re e mbledhjes së tatimit të të adhurave personale ka bërë që arka e shtetit t’iu marrë atyre të ardhura rreth dy herë më shumë sesa vjet. Edhe pagat e sektorit shtetëror janë tashmë të reduktuara, me rritjen e premtuar nga ana e qeverisë gjatë një viti. Pavarësisht se që prej 1 janarit të këtij viti tatimi mbi fitimin u përgjysmua nga 20 për qind në 10 për qind, Ministria e Financave bën të ditur se ka arritur që të realizojë me 150 për qind planin. Gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti, tatimet kanë arritur që të mbledhin 7.3 miliardë lekë nga tatimi mbi fitimin në parapagim, nga 4.8 miliardë lekë që ka qenë plani për tatimin mbi fitimin gjatë kësaj periudhe. Ministria e Financave e ka vlerësuar rritjen si pasojë e uljes së informalitetit dhe të rritjes së vetëdeklarimit. Ndërsa, nga ana e biznesit është vlerësuar se rritja ka ardhur për shkak të masave represive të marra nga ana e administratës tatimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›