E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ide të gabuara që vijnë nga fshehja e së vërtetës

Qeveria shqiptare po vazhdon ta trajtojë tragjedinë e Gërdecit si aksident dhe po arsyeton me këtë një sërë reformash në agjencitë që merren me sigurinë kombëtare në vend. Fjalimi i djeshëm i kryeministrit Berisha në takimin me krerët e agjencive që merren me sigurinë kombëtare në vend ishte kryekëput një shmangie nga e vërteta e asaj që ndodhi në Gërdec dhe që nuk ka të bëjë fare me sigurinë kombëtare, por me një projekt korruptiv të mbështetur politikisht. Kryeministri, i cili në dukje u shfaq si një njeri që pranoi dështimin me sigurinë në Gërdec, në të vërtetë pikërisht dje për herë të parë publikisht devijoi thelbin e tragjedisë së Gërdecit. Në Gërdec tragjedia nuk ndodhi për shkak të dështimit të agjencive të sigurisë kombëtare në vend. Nuk ndodhi për shkak të tyre, pasi në Gërdec nuk ishte duke u bërë ndonjë veprimtari ilegale, por ishte duke u bërë një vjedhje legale me leje të qeverisë. Agjencitë e informimit në vend, si SHISH, SHIU, apo dhe ndonjë shërbim tjetër nuk kishin për çfarë të raportonin. Qeveria shqiptare kishte lejuar me vetëdije të plotë një qendër demontimi në një zonë të banuar dhe kishte mundësuar po me vetëdije shmangien e ushtarakëve nga kontrolli mbi regjimin e sigurisë aty, për të mos qenë dëshmitarë të korrupsionit. Për këtë arsye aty nuk ka dështuar asnjëra nga strukturat shtetërore, por ka triumfuar kapja e shtetit prej familjeve në pushtet. SHISH p.sh., nuk ka patur çfarë të raportojë për Gërdecin. Dhe, nëse atje do të lije çdo ditë një agjent të SHISH, ai do të raportonte po atë që raportonte çdo ditë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, pra informacionin rutinë për sasinë e armëve që ngarkoheshin dhe shkarkoheshin. SHIU po ashtu mund të raportonte, sa herë hynin e dilnin ushtarakët aty. Tragjedia në Gërdec ndodhi, se autorët e projektit korruptiv ishin arrogantë për shkak të mbështetjes politike. Ata dhe mund të mos e kishin salduar atë karrocë të prishur aty afër barutit dhe tragjedia mund të mos kishte ndodhur, por korrupsioni po ndodhte dhe s’do ishte zbuluar kurrë. Për këtë arsye vazhdimi i trajtimit të Gërdecit, ai aksident teknologjik siç e ka përkufizuar zyrtarisht qeveria në faqen e saj zyrtare, është thelbi i devijimit të qeverisë nga përgjegjësia ndaj Gërdecit dhe distanca e madhe që ajo përpiqet të krijojë nga çdo lloj përgjegjësie e mundshme mbi të. Duke qenë kështu dhe duke ditur gjërat ende të paprovuara juridikisht që kanë të bëjnë me implikimin e njerëzve të afërt të kryeministrit në këtë histori kriminale, ne e kemi mirëkuptuar qëndrimin e kryeministrit dhe e kemi pranuar si qëndrim të detyruar. Por kjo s’do të thotë që kryeministri të trimërohet nga kjo situatë dhe, mbi bazë të një vlerësimi të gabuar që i bën targjedisë së Gërdecit, të shpallë dhe një sërë reformash që nisen nga vlerësimet e tij të gabuara. Është shumë e rrezikshme të ndërmarrësh reforma me ide false, të lindura nga një terren joreal. Është e frikshme që tani të ndërmarrësh masa reformuese për institucionet e sigurisë në vend, duke nxjerrë përfundime të gabuara nga një vlerësim i gabuar që i bëhet arsyeve, pse ndodhi tragjedia e Gërdecit. Që institucionet tona të sigurisë duhen reformuar është e qartë, se po të ishin minimumi në lartësinë e detyrës, ato ia kishin lehtësuar sot punën prokurorisë për të çuar para drejtësisë autorët realë të Gërdecit. Por, në të vërtetë, SHISH dhe SHIU janë institucione që kanë rënë në qetësi, për shkak se funksionojnë shumë larg qeverisë dhe kryeministrit dhe realisht nuk bëjnë asnjë punë serioze. Iu ka mjaftuar të mos i përzihen nëpër këmbë kryeministrit dhe ndihen komodë në qetësinë e tyre. Për herë të parë pas tre vjetësh kryetari i SHISH takohet me kryeministrin dhe kjo është statistika më domethënëse për të dëshmuar se ç’punë ka bërë këto tre vjet. Por kjo distancë dhe kjo paaftësi e tyre mund të përkeqësohet, nëse lejohet që kryeministri, në përpjekje për të mbuluar të vërtetën mbi Gërdecin, të investohet në ide të dështuara që mund të bëjnë nesër kërdinë në këto institucione. Është mirë të analizohet me realizëm tragjedia e Gërdecit dhe të nxirren konkluzione prej saj, por jo të konsiderohet aksident teknologjik dhe pastaj mbi këtë bazë të hidhen ide për reformimin e atyre institucioneve që realisht nuk kanë patur asgjë në dorë për të ndalur atë që ndodhi. Maksimumi, siç dëshmojnë punëtorët që kanë punuar aty, rrezikun mund ta shmangnin personat përgjegjës që drejtonin aty, që shkonin e vinin nga puna me “BMW X5”, por ata tani nuk jetojnë më ose një pjesë janë në burg. Agjencitë e sigurisë në vend ishin mbajtur larg me vetëdije prej qeverisë nga ai projekt kriminal. Dhe është mirë që të mbahet larg reformimi i tyre prej qeverisë, që të mos i përdorë ato si arsyetim për masa të reja, për të mos u përsëritur Gërdeci. Gërdeci do përsëritet, sa herë që kryeministri dhe njerëzit e tij do të angazhohen në projekte korruptive për të përfituar miliona. Gërdecët e tjerë në Shqipëri mund të përsëriten dhe pa shpërthyer. Institucionet e sigurisë në vend mund të kenë në këtë pikë vetëm një rol, nëse forcojnë kontrollin e tyre mbi kryeministrin dhe jo nëse forcon kryeministri kontrollin mbi to.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›