E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushime pa enigma, qeveria e re vetëm pas 3 shtatorit

Thirrja e PD dhe përgjigja positive e LSI-së për një koalicion qeverisës ka nisur një debat që do të zgjasë gjatë deri në momentin kur do të kemi një qeveri me emra të plotë e cila do i kalojë parlamentit për miratim. Një kohë e gjatë pasi pavarësisht përvijimit të koalicioneve zyrtarisht do të kemi mandatim të kryeministrit të ri vetëm me 3 shtator kur mblidhet zyrtarisht parlamenti dhe do të kemi mandatimin nga presidenti të zotit Berisha për të krijuar qeverinë e re. Tashmë kemi një rezultat që me shumë mundësi do jetë zyrtar. Kemi gjithashtu edhe një ide të qartë se si do jenë koalicionet, por gjithsesi gjatë pjesës së dytë të korrikut dhe gushtit do të kemi më shumë negociata informale përsa i përket emrave konkretë të ministrave të rinj. Këto enigma do të zgjidhen më shumë mundësi gjatë javës që vjen në mënyrë që të gjitha palet të shkojnë me pushime pa enigma për shtatorin ku secila pjesë e tortës do jetë në tavolinën e gjithësecilit pjestar të koalicionit. Megjithëse diçka konkrete do të marrim gjatë fundjavës që vjen, është pothuajse e qartë mënyra sesi do të shkojnë portofolet për të gjitha partitë e koalicioneve. Kështu LSI me shumë mundësi do të marrë postin e kryetarit të Kuvendit ku do të ulet kryetari Ilir Meta si dhe dy ministry me shumë mundësi ministrisë e ekonomisë dhe energjitikës si dhe ministrinë e integrimit ku përkatësisht do të ulen Dritan Prifti dhe Edmond Haxhinasto. Ndërsa për PDI-në me shumë mundësi do të kemi një ministry dhe disa poste të tjera në rang zv.ministrash dhe drejtorë drejtorishë, ndërsa PR pritet të përfaqësohet me zv.ministër. Pritet gjithashtu që një ministri të jetë edhe për PBDNJ-në nëse ajo do të jetë pjesë e koalicionit vendim që pritet ta marrë kongresi i kësaj partie. Nëse nuk afrohet PBDNJ, atëherë në qeveri minoriteti grek do të përfaqësohet nga Spiro Ksera i zgjedhur deputet në listën e PD në Gjirokastër. Gjithsesi këto janë thjesht diskutime paraprake dhe se gjithçka zyrtare do bëhet vetëm pas 3 shtatorit. Sipas kushtetutës është pikërisht kjo datë që do të zyrtarizojë emrat e qeverisë së re që gjithsesi përsa i përket kryeministrit nuk ka më enigma. Në 3 shtator presidenti do të mandatojë fituesin e zgjedhjeve, kryetarin e PD Berisha i cili më pas thjesht do të zyrtarizojë marrëveshjen që duket se brënda kësaj jave do të marrë formë të plotë. E rëndësishme që të gjithë do shkopjnë me pushime pa enigma për shtatorin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›