E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushteti në ikje, antiligj dhe antishtet

Skënder Kapiti

-Funksionimi, praktika dhe mentaliteti i qeverisjes së PD-së që identifikohet si pushtet personal i Berishës ishte një e drejtë absolute jo qeverisjeje, por sundimi dhe aspak demokratike, pasi me qeverisje demokratike kuptohet qeverisje e kushtëzuar dhe e kufizuar nga ligji e kushtetuta dhe e kontrolluar nga populli. Mirëpo Berisha, si atëherë kur mbretëroi si presidet, po ashtu qeverisi edhe për së dyti për tetë vite si kryeministër-mbret, sepse ai kuptonte me pushtet një të drejtë për të gllabëruar autoritetin e tërë shtetit, duke i dhënë vetes autoritetin e një mbishteti-antishtet. Si e tillë ajo ishte dhe e dhunshme ndaj opozitës, kërcënuese ndaj shoqërisë, uzurpuese e shtetit dhe e përdori shtetin si vegël për të sundur me pushtetin, duke shtënë në dorë tërë aparatin institucional të shtetit si: parlamentin, presidentin, gjyqësorin, ushtrinë, policinë, shërbimin e sigurisë kombëtare, institucionet e shërbimeve publike arsimore, shëndetësore, të sigurimeve sociale, qeverisjet vendore, mediat e shoqatat, pra dhe ato duke i vënë nën presion që t’i nënshtohen e binden pushtetit. Pushteti pëdëisto-berishist nuk ishte në shërbim të vendit dhe të qytetarit po e trajtonte shtetin si pjesë të pushtetit.

Kur qeveria punon për interesa personale dhe të vetëm pushtetit të vet siç ka bërë pushteti PD-ist aty nuk bëhet më fjalë për drejtësi, ligj e as për interes publik e kombëtar.

Kur them se pushteti në ikje ishte antiligji dhe antishteti mjafton vetëm një fakt për ta vertetuar atë, dhe pikërisht atë se a do të ishte e pranueshme për një vend demokratik dhe sovran që qeveria e tij të marrë mbi 20 e ca vendime antikushtetuese, siç ishte ai për Paktin Detar me Greqinë.

Përballë këtij realiteti opozita konstruktive me 23 qershor arriti një fitore historike që me të drejtë dhe ambasadori i SHBA-së i krahasoi me ato të vitit 1992 kur ra dhe diktatura komuniste, pra verdikti i popullit dhe mençuria e tij dëboi nga pushteti këtë pushtet antishtet duke i hapur rrugën progresit, emancipimit civil e demokratik dhe progresit ekonomik. Dhe pas humbjes, PD, në vënd që të nxjerrë mësime nga ndëshkimi, akoma ka mbetur në stadin bajraktaresk e patriarkal, në mentalitetin e vjetër deri dhe komik ku si shkaktarë të humbjes së pushtetit akuzon opozitën, popullin dhe  madje dhe diplomatët perendimorë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›