E Hënë, 2 Nëntor 2026

Putin: I gatshëm të takoj Zelenskyn, le të vijë në Moskë. Do t’i arrijmë qëllimet ushtarakisht nëse Ukraina s’bie dakord për një marrëveshje

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Moskë. Gjatë një interviste në Pekin, Putin tha u se mund të zhvillohet një takim për sa kohë që është “i përgatitur mirë”. Udhëheqësi rus pyeti në mënyrë retorike nëse do të kishte “ndonjë kuptim” të zhvillonte një takim me Zelenskyn, por shtoi se ai i kishte thënë presidentit amerikan Donald Trump se ishte gati ta takonte atë në Rusi.

“Unë kurrë nuk e kam përjashtuar mundësinë e një takimi të tillë. Por a ka ndonjë kuptim? Le të shohim“, tha ai.

Nga ana tjetër, Putin deklaroi se Rusia është e gatshme të luftojë për të arritur të gjitha objektivat e saj, nëse Ukraina nuk bie dakord për një marrëveshje.

“Unë besoj se, nëse ka arsye të shëndoshë, është e mundur të bihet dakord për një opsion të pranueshëm ose një mënyrë të pranueshme për t’i dhënë fund këtij konflikti. Ne shohim gjithashtu se administrata aktuale amerikane ka vullnetin dhe dëshirën për të gjetur këtë zgjidhje. Mendoj se ka dritë në fund të tunelit. Ta shohim. Përndryshe, ne do të detyrohemi t’i arrijmë të gjitha objektivat tona me mjete ushtarake“, tha ai.

Deklarata e Putin vjen pasi Trump tha në një postim në Truth Social se Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Kim Jong-un po komplotonin kundër Shteteve të Bashkuara.

Në një postim në Truth Social, Trump shkroi: “Ju lutem jepni përshëndetjet e mia më të ngrohta për Vladimir Putinin dhe Kim Jong Un ndërsa komplotonjnë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Kina priti udhëheqësit botërorë në paradën e saj më të madhe ndonjëherë të Ditës së Fitores në Pekin të mërkurën, një demonstrim i fuqisë ushtarake të Pekinit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›