Rama publikon pamje nga aksioni për lirimin e hapësirave publike: Rritet përditë sipërfaqja e çliruar në kryeqytet

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga vijimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme nga biznese private.
Në postimin e tij, kryeministri thekson se sipërfaqet publike të çliruara në kryeqytet po shtohen çdo ditë, ndërsa ka paralajmëruar se puna do të vijojë me zbatim të plotë të projekteve të sistemit urban.
“Rritet përditë sipërfaqja e çliruar e hapësirës publike në kryeqytet, ndërkohë që punojmë me projektet e shumta të sistemit”, shkruan ai.
Një ditë më parë, Rama deklaroi se do të lejohet përdorimi i hapësirave të jashtme nga bizneset, por vetëm sipas kritereve të reja që do të përcaktohen me një rregullore të posaçme.
Aksioni, i nisur në muajin korrik, është shtrirë në gjithë vendin dhe konsiderohet si një prioritet për pushtetin vendor dhe atë qendror.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se është në përgatitje një Rregullore Kombëtare për përcaktimin e kufijve të shfrytëzimit të hapësirave publike nga bizneset, për të garantuar rend urban dhe akses të qytetarëve në zona publike.
/rtsh.al/