Putin: Të gatshëm të negociojmë për Ukrainën! Perëndimi dëshiron të copëtojë Rusinë

“Rusia është e gatshme të negociojë me të gjitha palët e përfshira në konfliktin e Ukrainës”, kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin, ndërsa akuzon Perëndimit, të udhëhequr nga SHBA, se sipas tij po përpiqet të copëtojë Rusinë.
“Ne jemi të gatshëm të negociojmë me këdo të përfshirë për zgjidhje të pranueshme , por kjo varet nga ata. Nuk jemi ne ata që refuzojmë të negociojmë, ata refuzojnë. Besoj se po veprojmë në drejtimin e duhur, po mbrojmë interesat tona kombëtare, interesat e qytetarëve tanë, të popullit tonë. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbrojmë qytetarët tanë”, tha presidenti rus.
Moska ka këmbëngulur se është e hapur për negociata, por Kievi dhe aleatët e tij dyshojnë se pretendimet e Putinit janë një dredhi për të blerë kohë pas një sërë humbjesh dhe tërheqjesh ruse në fushën e betejës.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka deklaruar se Putin “nuk ka treguar absolutisht asnjë tregues se ai është i gatshëm të negociojë” një fund të luftës. “Krejt e kundërta,” tha Kirby, duke shtuar se “Gjithçka që ai bën në tokë dhe në ajër flet për një njeri që dëshiron të vazhdojë dhunën kundër popullit ukrainas”.
/rtsh.al/