“Urbi et Orbi”, Papa Françesku: Në Krishtlindje nuk duhet të harrohen të varfrit! T’i jepet fund luftës

Duke ofruar urimet e tij të Krishtlindjeve nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Françesku, dha mesazhin e tij të zakonshëm të Krishtlindjes dhe bekimin “Urbi et Orbi”. Papa përshëndeti mijëra pelegrinët e mbledhur në shesh në një ditë me diell dhe të butë për këtë periudhë të vitit. Zoti është me ne tha ai.
“Jezusi ka lindur në mesin tonë; ai është Zoti me ne. Ai vjen për të shoqëruar jetën tonë të përditshme, për të ndarë me ne në të gjitha gjërat: gëzimet dhe hidhërimet tona, shpresat dhe frikën tonë.Zoti na vjen “si një fëmijë i pafuqishëm.i varfër mes të varfërve, duke trokitur në derën e zemrës për të gjetur ngrohtësi dhe strehë“.- tha papa Francesku.
Mesha e Krishtlindjeve e cila në dy vitet e fundit mbahej në mënyrë të kufizuar për shkak të COVID-19, këtë vit ajo u ndoq nga disa mijëra mijë njerëz. Por këtë herë Papa Françesku i cili ka drejtuar për të 10-tën herë meshën e Krishtlindjeve që kur është bërë kreu i botës katolike, u vërejt se në meshë mori pjesë i ulur në një karrige me rrota për shkak të dhimbjeve të gjurit në muajt e fundit.
Kreu shpirtëror i katolikëve i cili bekoi besimtarët që morën pjesë në ceremoni, në fjalën e tij përkujtoi Jezusin. Papa në fjalën e tij paralajmëroi për lakminë në konsum dhe theksoi se për shkak të lakmisë (urisë) për pushtet dhe para, njerëzit kanë arritur në një pikë sa të marrin padrjetësisht të ardhurat e fqinjëve, madje edhe vëllezërit e tyre.
“Në Krishtlindje nuk duhet të harrohen të varfrit”, tha Papa duke thënë se mendon edhe për fëmijët e viktimizuar nga luftërat.
Fjala e plotë e Papa Françesku
Të dashur vëllezër dhe motra të Romës dhe të mbarë botës, Gëzuar Krishtlindjen!
Jezusi, i lindur nga Virgjëra Mari, ju sjelltë të gjithëve dashurinë e Zotit, gurrë besimi e shprese; e sjelltë njëherësh edhe dhuratën e paqes, të cilën engjëjt ua kumtuan barinjve të Betlehemit: “Lavdi i qoftë Zotit në qiejt më të larta e paqe mbi tokë njerëzve, që ai do” (Lk 2.14).
Në këtë ditë feste i sjellim sytë kah Betlehemi. Zoti vjen në botë në një shpellë dhe vendoset mbi një grazhd për kafshët, sepse prindërit e tij nuk mundën të gjejnë strehë tjetër, edhe pse tashmë kishte ardhur koha që Maria të lindte. Ai vjen mes nesh në heshtjen dhe errësirën e natës, sepse Fjala e Perëndisë nuk ka nevojë për reflektorë e as për poterën e zërave njerëzorë. Ai vetë është Fjala, që i jep kuptim jetës, është drita, që ndriçon rrugën. “Drita e vërtetë po vinte në botë – thotë Ungjilli – ajo që ndriçon çdo njeri” (Gjn 1.9).
Jezusi lindi mes nesh, ai është Zoti-me-ne. Ai vjen të na shoqërojë në jetën tonë të përditshme, të ndajë gjithçka me ne, gëzimet e helmet, shpresat e ankthet. Vjen si ferishte e pafuqishme. Lind në të ftohtë, i varfër ndërmjet të varfërve. Nevojtar për gjithçka, troket në derën e zemrës sonë, për të gjetur ngrohtësi dhe strehë.
Ashtu si barinjtë e Betlehemit, ta lëmë të na mbështjellë me dritë dhe të shkojmë të shohim shenjën që na dha Zoti! Ta mundim torturën e dremitjes shpirtërore dhe ngjyrat e rreme të festës, që na bëjnë të harrojmë se kush festohet. Të dalim nga zhurma, që e vë në gjumë zemrën dhe na nxit të përgatisim zbukurime dhe dhurata, në vend që të sodisim Ngjarjen e madhe: Birin e Perëndisë lindur për ne!
Vëllezër, motra, t’i drejtohemi Betlehemit, ku kumbon vaji i parë i Princit të Paqes. Po, sepse ai vetë, Jezusi, është paqja jonë: ajo paqe që bota nuk mund ta japë dhe që Zoti Atë ia dha njerëzimit, duke dërguar Birin e tij në botë. Shën Leoni i Madh ka një shprehje që, në koncizitetin e gjuhës latine, përmbledh mesazhin e kësaj dite: “Natalis Domini, Natalis est pacis”, “Krishtlindja e Zotit është Krishtlindja e paqes” (Predikimi 26: 5).
Jezu Krishti është edhe rruga e paqes. Me mishërimin, mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e tij, hapi shtegun për të kaluar nga bota e mbyllur, e shtypur, nga errësira e armiqësisë dhe e luftës, në një botë të hapur, të lirë për të jetuar në vëllazëri dhe në paqe. Ta ndjekim këtë rrugë! Por për ta bërë këtë, për të qenë në gjendje të ecim pas Jezusit, duhet t’i shkarkojmë barrët, që na pengojnë dhe na mbajnë të mbërthyer.
Po cilat janë këto pesha? Çfarë është ky “çakëll”? Janë të njëjtat pasione negative që e penguan mbretin Herod dhe oborrin e tij ta njohin dhe ta mirëpresin lindjen e Jezusit: lidhja me pushtetin dhe paranë, krenaria, hipokrizia, gënjeshtra. Këto barrë e pengojnë njeriun të shkojë në Betlehem, e përjashtojnë nga hiri i Krishtlindjes dhe ia mbyllin hyrjen në shtegun e paqes. E me të vërtetë duhet të vërejmë me trishtim se, ndërsa na dhurohet Princi i Paqes, erërat e luftës vazhdojnë të fryjnë të akullta mbi njerëzimin.
Nëse duam që të jetë Krishtlindja – Krishtlindje e Jezusit dhe e paqes, të shikojmë nga Betlehemi dhe t’i ngulim sytë në fytyrën e Foshnjës, që lindi për ne! E në atë fytyrë të vogël, të pafajshme, do të njohim atë të fëmijëve që dëshirojnë paqen në çdo pjesë të botës.
Vështrimi ynë është i mbushur me fytyrat e vëllezërve dhe motrave ukrainase, që po e jetojnë këtë Krishtlindje në errësirë, në të ftohtë ose larg shtëpive të tyre, për shkak të shkatërrimit të shkaktuar nga dhjetë muaj lufte. Zoti na bëftë gati për gjeste konkrete solidariteti që të mund t’i ndihmojmë ata që vuajnë dhe për t’ua ndriçuar mendjet atyre që kanë fuqinë për t’i bërë armët të heshtin dhe për t’i dhënë fund të menjëhershëm kësaj lufte të pakuptimtë! Fatkeqësisht, ne preferojmë të dëgjojmë arsye të tjera, të diktuara nga logjika e botës. Po zërin e Fëmijës, kush e dëgjon?
Koha jonë po jeton edhe një mungesë serioze paqeje në rajone të tjera, në teatro të tjera të kësaj lufte të tretë botërore. Le të mendojmë për Sirinë, ende të torturuar nga një konflikt që kaloi në plan të dytë, por nuk mori fund; të mendojmë për Tokën e Shenjtë, ku dhuna dhe përplasjet u shtuan muajt e fundit, me vdekje dhe të plagosur. I lutemi Zotit që atje, në tokën e cila pa lindjen e Tij, të rifillojë dialogu dhe kërkimi i besimit të ndërsjellë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Krishti Fëmijë i ndihmoftë bashkësitë e krishtera që jetojnë në të gjithë Lindjen e Mesme, në mënyrë që në secilin prej këtyre vendeve të mund të përjetojmë bukurinë e bashkëjetesës vëllazërore mes njerëzve që u përkasin besimeve të ndryshme. E ndihmoftë sidomos Libanin, që të mund të rimëkëmbet më në fund, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe me forcën e vëllazërisë dhe të solidaritetit. Drita e Krishtit ndriçoftë në zonën e Sahelit, ku bashkëjetesa paqësore ndërmjet popujve dhe traditave tronditet nga ndeshjet e dhuna. Orientoftë drejt armëpushimit të qëndrueshëm Jemenin dhe drejt pajtimit, Myanmarin e Iranin, në mënyrë që të pushojë çdo gjakderdhje. Frymëzoftë autoritetet politike dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë në kontinentin amerikan, që të përpiqen për t’u dhënë fund tensioneve politike dhe sociale të vendeve të ndryshme; mendoj posaçërisht për popullatën haitiane, që po vuan prej shumë kohe.
Në këtë ditë, kur është bukur të mblidhemi rreth tryezës së begatë, le të mos i ndajmë sytë nga Betlehemi, që do të thotë “shtëpia e bukës” dhe të mendojmë për njerëzit që vuajnë nga uria, veçanërisht fëmijët, ndërsa çdo ditë sasi të mëdha ushqimesh shpërdorohen dhe burimet shpenzohen për armë. Lufta në Ukrainë e ka keqësuar më tej situatën, duke lënë popullata të tëra të rrezikuara nga uria, veçanërisht në Afganistan dhe në vendet e Bririt të Afrikës. Çdo luftë – e dimë – shkakton uri dhe e shfrytëzon ushqimin si armë, duke penguar shpërndarjen e tij tek popullatat tashmë të vuajtura. Në këtë ditë, duke mësuar nga Princi i Paqes, le të angazhohemi të gjithë, në radhë të parë ata që kanë përgjegjësi politike, që ushqimi të jetë vetëm mjet paqeje. Ndërsa shijojmë gëzimin e ribashkimit me të dashurit tanë, le të mendojmë për familjet e plagosura nga jeta dhe për ata që, në këtë kohë krize ekonomike, luftojnë për shkak të papunësisë dhe u mungojnë gjërat fillestare të jetës.
Të dashur vëllezër e motra, sot si atëherë, Jezusi, drita e vërtetë, vjen në një botë të sëmurë nga indiferenca, e cila nuk e mirëpret (krh. Gjn 1,11), përkundrazi e refuzon, siç ndodh me shumë të huaj, ose e shpërfill, siç bëjmë shpesh me të varfërit. Të mos harrojmë sot refugjatët dhe njerëzit e shumtë, të zhvendosur, që trokasin në dyert tona në kërkim të pushimit, të ngrohtësisë dhe të ushqimit. Të mos harrojmë të mënjanuarit, të vetmuarit, jetimët dhe të moshuarit, që rrezikohen të përfundojnë të flakur, të burgosurit, të cilët i shikojmë vetëm për gabimet e tyre, jo si qenie njerëzore.
Betlehemi na tregon thjeshtësinë e Zotit, i cili nuk u zbulohet të urtëve dhe të diturve, por të vegjëlve, atyre që e kanë zemrën të pastër dhe të hapur (shih Mt 11.25). Ashtu si barinjtë, edhe ne të shkojmë pa vonesë dhe të mahnitemi nga ngjarja e papërfytyrueshme e Zotit, që bëhet njeri për shpëtimin tonë. Ai, që është burimi i të gjitha të mirave, bëhet i varfër dhe lyp lëmoshë për humanitetin tonë të varfër. Ta lëmë Zotin të na prekë me dashurinë e Tij dhe të ndjekim Jezusin, i cili u zhvesh nga lavdia, për të na bërë pjesëtarë të përsosurisë së Tij2.
Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve!
/rtsh/