E Diel, 1 Nëntor 2026

Putin mbyll vizitën në Kinë, liderët e dy vendeve kritikuan Trumpin për projektin e mburojës raketore

Vetëm pak ditë pasi priti presidentin amerikan në Pekin, lideri kinez i siguroi të njëjtën pritje edhe homologut rus në Sallën e Madhe të Popullit.

Xi Jinping dhe Vladimir Putin vlerësuan progresin në partneritetin e tyre gjithëpërfshirës, por kritikuan projektin e presidentit të SHBA-së Donald Trump për mburojën raketore “Kupola e Artë”.

Në deklaratën e përbashkët të lëshuar pas takimit mes tyre thuhej se mburoja raketore “ Kupola e Artë” kërcënon stabilitetin strategjik, ndërsa  kritikohej Uashingtoni duke u cilësuar i papërgjegjshëm që nuk kishte punuar për të zëvendësuar traktatin e kontrollit të armëve bërthamore New Start të vitit 2010 me Rusinë, i cili skadoi në shkurt të këtij viti dhe Trump nuk e rinovoi.

Ndërsa folën në unison për çështjet e sigurisë globale, të dy udhëheqësit nuk arritën përparim mbi një kontratë për një gazsjellës të ri që do t’i mundësonte Rusisë të dyfishonte sasinë e gazit natyror që i shet Kinës.

Ata akuzuan Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar me sulmet ndaj Iranit. “Agjenda globale e paqes dhe e zhvillimit po përballet me rreziqe dhe sfida të reja, me rrezikun e fragmentimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe një kthimi drejt ligjit të xhunglës”- thuhet në deklaratën e përbashkët.

Media shtetërore kineze tha se të dy udhëheqësit biseduan për Ukrainën pas përfundimit të vizitës.

Ndërsa Putin u shpreh se Rusia dhe Kina ishin të përkushtuara ndaj një politike të jashtme të pavarur dhe sovrane. Gjatë samitit, dy presidentët nënshkruan një sërë marrëveshjesh mbi tregtinë, median dhe energjinë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›