Putin per Khodorkovskin Hajdutet e kane vendin ne burg
Kryeministri rus, Vladimir Putin, është akuzuar për ndërhyrje në një çështje ligjore pas komenteve të tij të bëra publike në lidhje me gjyqin e ish-pronarit të Jukos dhe ish-njeriut më të pasur në Rusi, Mikhail Khodorkovski.
Ky i fundit është duke pritur vendimin e trupit gjykues në lidhje me një çështje të dytë që kanë çelur një vit më parë ndaj tij prokurorët në lidhje me vjedhje që ai i ka bërë kompanisë së tij dhe pastrim parash. Khodorkovski ka kaluar ndërkohë 7 vjet në burg për shmangie taksash dhe pritet që të përfundojë dënimin aktual tetorin e ardhshëm. Vendimi për çështjen e dytë pritej që të jepej nga trupi gjykues dy ditë më parë, por është shtyrë për t’u dhënë në datën 27 dhjetor. Nëse ai do të dënohet do të kalojë pas hekurave edhe 7 vjet të tjerë. Ndërkohë, gjyqi i cili konsiderohet si gjyq i motivuar politikisht për shkak se Khodorkovski ka qenë një ndër sfidantët më të mëdhenj të Putinit, është paragjykuar nga vetë Putin në një intervistë që ka dhënë dy net më parë në televizionin vendas.
Putin, në vijim të një pyetjeje të bërë nga gazetari për fatin e Khodorkovskit deklaroi se “një hajdut meritonte që të qëndronte në burg”. Avokatët e të akuzuarit deklaruan menjëherë se kjo thënie e Putinit tregon se sa presion i bën Kryeministri i vendit gjykatës që ajo të japë vendimin maksimal për të akuzuarin dhe jo një vendim të drejtë dhe të bazuar në fakte dhe prova konkrete. Avokatët thanë në komentet e tyre se do t’u referohen atyre në rastin se vendimi i gjykatës do të jetë i keq dhe ata do ta apelojnë çështjen në një gjykatë ndërkombëtare.