Putini propozon bisedime direkte me Ukrainën më 15 maj, Zelensky kërkon armëpushimin

Presidenti rus Vladimir Putin ofroi të dielën bisedime direkte, “pa kushte” dhe me synim “paqen afatgjatë” më Ukrainën, duke propozuar 15 majin dhe Stambollin si vendtakim.
Oferta erdhi pak orë pasi liderët e Ukrainës, Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe Britanisë së Madhe bënë thirrje për një armëpushim 30-ditor pa kushte nga palët, për t’i dhënë fund konfliktit 3-vjeçar mes dy fqinjëve. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar sanksione të reja “masive” kundër Kremlinit nëse nuk e pranon planin e tyre.
“Propozojmë që të rinisim negociatat direkte pa parakushte. Ne u ofrojmë autoriteteve në Kiev që të rinisin negociatat që të enjten në Stamboll,” tha presidenti Putin para gazetarëve, ndërsa i refuzoi “ultimatumet” dhe “retorikën antiruse” nga vendet europiane. Ai shtoi se do të flasë me homologun turk, Reccep Tayyip Erdogan për të mundësuar bisedimet.
Në një reagim në rrjetet sociale, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti një shenjë pozitive “që rusët kanë filluar të mendojnë për fundin e luftës”, porse për të arritur deri aty duhet të hyjë në fuqi armëpushimi.
“Hapi i parë për dhënien realisht fund të çdo lufte është armëpushimi. Nuk ka kuptim të vazhdojmë vrasjet, as edhe një ditë. Ne presim që Rusia të konfirmojë armëpushimin – e plotë, afatgjatë dhe të besueshëm – duke nisur që nesër, më 12 maj,” shkroi Zelensky në rrjetin social “X”.
Trump ngre shpresat për paqen në Ukrainë pasi Putini ofron bisedime direkte
Duke komentuar deklaratat e Rusisë dhe Ukrainës ditën e diel, presidenti i SHBA-së tha gjatë ditës se i mirëprit zhvillimet e fundit, për t’i dhënë fund “kasaphanës” 3-vjeçare.
“Një ditë potencialisht e mirë për Rusinë dhe Ukrainën!” shkroi Trump në platformën “Truth Social”, duke mos e shtjelluar më tej postimin e tij. “Mendoni për qindra mijëra jetët që do të shpëtohen nëse kësaj ‘kasaphane’ do i vijë fundi. Unë do të vazhdoj të punoj me të dyja palët për të siguruar që kjo të ndodhë,” shkroi presidenti Trump.
/rtsh.al/