E Diel, 1 Nëntor 2026

QIPRO – Spanja rikonfirmon besnikërinë ndaj NATO-s mes tensioneve me SHBA-në

NIKOZIA, 24 prill /ATSH-DPA/- Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez konfirmoi sot besnikërinë e vendit të tij ndaj aleancës ushtarake NATO, pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e pezullimit të anëtarësimit të Spanjës në këtë organizatë.

“Qëndrimi i qeverisë spanjolle është i qartë: bashkëpunim absolut me aleatët”, u tha Sánchez gazetarëve gjatë një samiti të BE-së, në Nikozia.

“Ky bashkëpunim mund të zhvillohet vetëm brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare”, shtoi ai.

Sánchez është ndër kritikët më të rreptë në Evropë ndaj luftës SHBA-Izrael kundër Iranit dhe ka qenë disa herë objekt i sulmeve verbale të presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas një raportimi të pakonfirmuar të gazetës spanjolle “El País”, në Pentagon po qarkullon një memorandum që propozon masa ndaj anëtarëve “problematikë” të NATO-s, të cilët nuk kanë mbështetur ushtrinë amerikane në luftën kundër Iranit.

Në rastin e Spanjës, sipas raportit, është përmendur mundësia e pezullimit të anëtarësimit në aleancën e mbrojtjes.

Megjithatë, një zyrtar i NATO-s e përjashtoi një skenar të tillë, duke theksuar se traktati themelues i NATO-s nuk parashikon dispozita për pezullimin apo përjashtimin e anëtarëve.

Qeveria në Madrid e ka cilësuar luftën kundër Iranit si “të paligjshme” dhe ka ndaluar përdorimin e bazave ushtarake amerikane në jug të vendit për sulme ndaj Iranit.

Gjithashtu, ajo ka mbyllur hapësirën ajrore për avionët ushtarakë amerikanë të përfshirë në operacione. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›