E Diel, 1 Nëntor 2026

QKB: Mbi 24 mijë aplikime online gjatë korrikut, 1463 biznese të reja

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Muaji korrik u shoqërua me fluks të lartë aplikimesh dhe kërkesash për shërbime pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), i ndikuar edhe nga periudha e dorëzimit të pasqyrave financiare.

Sipas të dhënave të QKB-së, gjatë muajit u regjistruan 24 487 aplikime online, ndërsa numri i bizneseve të reja arriti në 1 463.

Në të njëjtën periudhë u lëshuan 156 licensa të reja dhe 9 leje të reja, ndërsa aplikimet në Regjistrin Tregtar arritën në 22 680.

Aktivitet i konsiderueshëm u regjistrua edhe në regjistrat e tjerë. Në Regjistrin e Pronarëve Përfitues u kryen 1 117 aplikime, ndërsa në Regjistrin e Lejeve, Licensave dhe Autorizimeve u regjistruan 790 aplikime.

Krahas shërbimeve administrative, QKB vijoi asistencën ndaj qytetarëve dhe bizneseve për përmbushjen e procedurave. Gjatë korrikut u trajtuan 1 236 kërkesa përmes biletës së asistencës dhe postës elektronike.

Operatorët e QKB-së asistuan gjithashtu 1 185 telefonata, ndërsa shërbimi i chat-it direkt regjistroi 960 komunikime.

Të dhënat e muajit korrik dëshmojnë për kërkesën e lartë ndaj shërbimeve të QKB-së, ndërsa institucioni vijon të ofrojë shërbimet në mënyrë digjitale dhe asistencën për qytetarët dhe bizneset, me synim lehtësimin e procedurave administrative.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›