QKUK-ja gropos mbetje të operimeve te varrezat e Prishtinës?

Banorët të cilët jetojnë afër varrezave të kryeqytetit në lagjen “Arbëria” tashmë e një kohë të gjatë kanë një hall të madh. Fevzi Grashtolli dyshon se mbetjet e operacioneve të QKUK-së po groposen aty, gjë që ka bërë të shqetësohen për rrezikun që i kanoset shëndetit të tyre. Madje, sipas tij, pos që një groposje e tillë po bëhet në arat e tyre dhe jo në vendin e caktuar, këto mbetje mund të jenë afër gypit të ujësjellësit, raporton KTV.
Një groposje mbetjesh, sipas tij, është bërë vetëm dy ditë më parë, duke thënë se nuk ka lënë derë pa trokitur, së bashku me banorët e tjerë, për ta çarë këtë hall. Zyrtarë të QKUK-së e pranojnë se në afërsi të varrezave groposen mbetje të placentave, por jo edhe shiringa dhe mjete të tjera. Skënder Peci, instalues në QKUK, ka mohuar se para dy ditësh kishte pasur gropime të mbetjeve, duke thënë se nuk e di se çfarë kanë parë banorët, ngase, sipas tyre, mbetjet merren vetëm një herë në muaj. Ai nuk ka pranuar të fliste para kamerave me arsyetimin se nuk ka çfarë të thotë më shumë./Indeksonline./