E Diel, 1 Nëntor 2026

QKUM: Ambulanca pranë protestës u aktivizua për t’i ardhur në ndihmë një fëmije

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) sqaroi se ambulanca e urgjencës e pranishme gjatë protestës së 12 shtatorit u aktivizua pas një kërkese për ndihmë mjekësore për një fëmijë që nuk ndihej mirë.

Në një njoftim për shtyp, nisur nga informacione që qarkulluan në rrjet se ambulanca u aktivizua për të krijuar përplasje në protestë, QKUM bëri të ditur se në orën 20:03 të datës 12 shtator, qendra 112 përcolli kërkesën për ndihmë pranë protestës, ndërsa rasti u regjistrua në sistem dhe ambulanca u aktivizua sipas procedurës së zakonshme.

QKUM theksoi se gjatë protestave dhe aktiviteteve me grumbullime të mëdha njerëzish vendosen rregullisht ekipe në gatishmëri, me qëllim ofrimin e ndihmës mjekësore në rast nevoje.

“Ambulanca nuk duhet konsideruar si palë”, thekson QKUM, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos pengojnë mjetet e urgjencës.

“Asnjë ambulancë me logon e urgjencës nuk shkon për të provokuar”, thuhet në reagim, ndërsa QKUM garanton se misioni i saj është vetëm ofrimi i ndihmës mjekësore dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›