E Diel, 1 Nëntor 2026

"QSUT ka kafe e lavazhe por i mungojnë barnat dhe aparaturat"

Shefi i shërbimit të ORL-së në QSUT, Radovani thekson se mjekët profesionist janë drejt largimit tek privatët. Sistemi i referimit po funksionon


Qendra më e madhe spitalore "Nënë Tereza" të ofron kafene, lavazhe dhe parkime të stërmëdha, por ka mangësi në barna dhe aparatura. Ndërkohë mjekët e mirë dhe profesionistë kanë filluar të largohen nga spitali drejt klinikave private.


Ky është mendimi i shefit të Shërbimit të ORL-së në QSUT, Pjerin Radovani i cili vlerësoi ecurinë e sistemit të referimit. Në intervistën për "Shekullin" ai theksoi se ligjet dhe reformat janë të shkruara më së miri por duhet të zbatohen.


Doktor tashmë ndryshe nga muaj më parë vihen re më pak pacient ambulator në spitalin "Nënë Tereza". A mendoni se sistemi i referimit ka sjellë reduktimin e tyre?


Mendoj se sistemi i referimit ka filluar të funksionojë sepse kjo është reflektuar pikërisht tek numri i pacientëve që vijnë në spital. Po ta shihni tashmë korridoret janë bosh nga pacientët ambulatorë ndërsa më parë ishte rrëmujë e madhe sepse të gjithë vinin në QSUT edhe për gjëra shumë elementare.


Në fakt kjo është një anë e mirë e sistemit të referimit dhe e përkrah reformën në shëndetësi sepse i sëmuri që ka nevojë do të paraqitet te mjeku i familjes, e më pas tek mjeku specialist dhe nëse ka nevojë në QSUT, por vetëm me rekomandim.


Pra, janë tre hallka që duhet të kalojë pacienti, kur ai mund ta ketë zgjidh problemin te hallka e parë pa qenë e nevojshme të vijnë në QSUT që është hallka e tretë. Kështu funksionon në gjithë botën por tek ne ka qenë informalitet ndaj nuk funksiononte kështu.


Pacientët ankohen shpesh për mangësitë në spital po personelin shëndetësor e shqetëson ky problem?


Njerëzit duke dëgjuar çdo ditë rreth mangësive dhe problemeve të spitalit ndodh që tremben por ai që ka nevojë do të vijë këtu pavarësisht mangësive, do të vijë sepse nuk ka ku shkon.


Ne si shërbim jemi repart kirurgjikal dhe më shumë se medikamente na duhen gjëra të tjera si pajisje dhe aparatura më moderne. Por ama ka shërbime që kanë vërtet nevojë për barna dhe nuk i kanë si p.sh Onkologjiku, pasi ne kishim vërtet një rast që duhej të bënte kimioterapinë dhe nuk iu mundësua.


Si mendoni se mund të ketë një përmirësim të situatës në spital dhe a mendoni se shëndetësi ka nevojë për reforma më të thella?


Mendoj se çdo gjë ekziston dhe është e shkruar mirë e zeza mbi të bardhë dhe fjala reformë është kaq e madhe sa edhe bota nuk mundet ta realizojë plotësisht, jo më pastaj Shqipëria që e ka pothuajse të pamundur. Sikur të zbatohen ato ligje dhe rregulla që janë të shkruara situatat do të ishte shumë më e mirë.


Fjala reformë është shumë e madhe dhe në vendin tonë kjo fjalë ka më shumë vlerë propagandistike. Nëse sot flitet shumë, pasi kemi dëgjuar ministrin e Financave që flet për reformë fiskale, të paktën të falen borxhet që ka QSUT-ja. Ju duhet të dini se ky spital ka shumë borxhe.


Sa i takon personelit të kualifikuar në QSUT a mendoni se do të vazhdojnë të punojnë në këto kushte dhe probleme që ka spitali?


Ka filluar largimi i mjekëve të mirë dhe të aftë nga spitali. Këtu po ngelen ata që nuk i pranojnë në privat dhe mjekët e vjetër që janë në prag pensioni. Mos harroni se këta mjekë janë cilësuar si pasuria më e madhe e QSUT-së.


Mua më bën përshtypje se këtij spitali nuk i mungojnë as klubet, as kafenetë, lavazhet e mëdha, ka parkime më të mëdha se në çdo vend tjetër të Tiranës a thua sikur të sëmurët kanë nevojë vetëm për këto.


Pra panorama e parë që të ofrohet në spital janë klubet me lavazhet dhe parkimet e stërmëdha duke u futur kush të dojë ndërkohë që problemi i parë që duhet të zgjidhet janë mangësitë në medikamente dhe aparatura.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›