E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarkullonte i armatosur me armë zjarri dhe armë gjahu pa leje, arrestohet 40-vjeçari në Vlorë

Një 40-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Vlorë, pasi qarkullonte me automjet me armë zjarri dhe armë gjahu pa leje. Në lidhje me rastin, një 38-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Ngjarja u konstatua në vendin e quajtur “Ura e Vodicës”, ku specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Selenicë ndaluan për kontroll një automjet, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një person lëvizte i armatosur.

Gjatë kontrollit të automjetit, me të cilin udhëtonin dy shtetasit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një pushkë me pajisje optike të montuar, tri armë gjahu dhe 16 fishekë gjahu.

Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. B., 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë.

Ndërkohë, shtetasi F. B., 38 vjeç, gjithashtu banues në Mavrovë, u procedua penalisht në gjendje të lirë, pasi njëra prej armëve të gjahut të sekuestruara i përkiste atij dhe mbahej pa leje.

Policia bën me dije se kontrollet vijojnë me qëllim evidentimin dhe parandalimin e paligjshmërisë, si dhe garantimin e sigurisë publike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›