E Martë, 3 Nëntor 2026

Qëlloi me armë gjahu drejt banesës, parandalohet krimi në familje. Vihet në pranga 47-vjeçari

Një konflikt në familje që mund të kishte pasoja shumë të rënda është parandaluar nga policia në Gjirokastër. Policia ka bërë të mundur arrestimin e 47-vjeçarit i cili qëlloi me armë gjahu në drejtim të banesës ku kishte familjarët, ndërsa atij i është sekuestruar arma e gjahut me të cilën qëlloi ky shtetas.

“Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 09:15 të mëngjesit të sotëm, për motive të dobëta, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në drejtim të banesës ku ishin familjarët e tij, në zonën e quajtur “Ura e lumit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër organizuan punën dhe mbërritën në vendin e ngjarjes, për të arrestuar shtetasin përgjegjës.

Si rezultat, u bënë të mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti, si dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit L. S., 47 vjeç, banues në Gjirokastër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e gjahut me të cilën qëlloi i arrestuari.

“Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, bën të ditur policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›