E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qendrat e artizanatit, atraksione turistike. Njohja me traditat e qëndistarisë në Gjirokastër

Në Gjirokastër, qendrat e artizanatit po shndërrohen gjithnjë e më shumë në atraksione turistike. Së fundmi, një grup grash artizane nga Izraeli vizituan qytetin e gurit për t’u njohur nga afër me traditat e pasura të qëndistarisë shqiptare.

“Donim një gjë ndryshe nga të tjerët, jo atë turizmin standard, por një turizëm të dedikuar”, u shpreh një artizane.

“Kemi ardhur këtu me një grup miqsh për të vizituar Shqipërinë dhe për të mësuar më shumë rreth traditave. Në interesin tonë është edhe qëndistaria”, u shpreh Michal Avissar artizane me guid izraelite.

Vizita e tyre përfaqëson një tjetër hap drejt promovimit të kulturës dhe trashëgimisë artizanale të Gjirokastrës në arenën ndërkombëtare.

“Prej disa vitesh ofrojmë ture artizanale në vende të ndryshme ku përfshihet edhe Shqipëria. E ku më mirë se në Gjirokastër, ku mund të na tregojnë rreth teknikave të qëndisjes”, u shpreh Rozana Gjergji.

Artizania Gjirokastrite Burbuqe Muka ua prezantoi teknikat tradicionale të qëndistarisë dhe historinë e këtij zanati të çmuar.

“Ato e kanë një lloj informacioni për traditat e qëndisjes në vendin e tyre dhe kërkojnë të njihen dhe studiojnë edhe traditën shqiptare kur vijnë vizitor këtu”, u shpreh artizania Burbuqe Muka.

Gratë Izraelite patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja, të mësojnë rreth motiveve tradicionale shqiptare dhe të ndajnë gjithashtu elementë nga kultura dhe artizanati i tyre.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›