Qendrat e paraburgimit të emigrantëve në Itali, kushtet më të këqija se në burgje

Po rritet presioni mbi autoritetet në Itali për të mbyllur një qendër famëkeqe të ndalimit të emigrantëve në Romë, ku një 19-vjeçar nga Guineja dyshohet se u vetë-var muajin e kaluar. Senatorë nga opozita, të cilët vizituan qendrën, kanë denoncuar kushtet “pa dinjitet” për njerëzit që janë urdhëruar që të largohen nga Italia, por që janë në pritje të riatdhesimit.
10 qendrat e riatdhesimit të emigrantëve në Itali janë kritikuar prej kohësh nga grupet e të drejtave të njeriut. Ata i përshkruajnë ato si ‘vrima të zeza’ të shkeljeve të të drejtave të njeriut, ku emigrantët pa dokumente mbahen në paraburgim për muaj të tërë pa akuza, në kushte më të këqija se burgjet.
Qendrat supozohet të jenë ambiente të përkohshme mbajtjeje për emigrantët, kërkesa e të cilëve për azil ka dështuar, ose për të huajt që janë urdhëruar që të dëbohen për arsye kriminale ose motive të tjera, ndërsa dokumentet janë bërë për t’i dërguar në shtëpi.
Por, për shkak të vonesave burokratike dhe mungesës së marrëveshjeve të riatdhesimit me vendet e origjinës, vetëm rreth gjysma e të burgosurve kthehen në fakt. Qendrat përfundojnë duke vepruar si burgje ‘de facto’, por pa kushtet rehabilituese të një burgu, pa mjedise arsimore ose mjekësore të duhura.
Qeveria e djathtë e kryeministres, Giorgia Meloni ka mbrojtur përdorimin e qendrave, madje ka bërë thirrje për zgjerimin e tyre, si një komponent i domosdoshëm i një strategjie më të gjerë për të menaxhuar flukset emigratore të Italisë. Qeveria e saj e ka zgjatur kohën e mbajtjes së emigrantëve në 18 muaj, si pjesë e një strategjie parandaluese për të bindur refugjatët e mundshëm dhe trafikantët e tyre që të qëndrojnë në shtëpi.
Radicali Roma, një shoqatë e lidhur me Partinë Radikale Italiane, filloi një peticion në internet të premten duke i bërë thirrje kryetarit të bashkisë së qendrës së majtë, Roberto Gualtieri të mbyllte qendrën e riatdhesimit të Romës në Ponte Galeria, duke përmendur episode të përsëritura të dhunës, vetëvrasjeve dhe protestave nga të burgosurit e dëshpëruar.
Muajin e kaluar trupi i Ousmane Sylla u gjet në qendër pasi ai, mesa duket u vetë-var. Ai ishte urdhëruar që të dëbohej nga vendi, por Italia nuk ka marrëveshje riatdhesimi me Guinenë vendin e tij të lindjes.
Pasi u zbulua trupi i tij, të arrestuarit u vunë flakën dyshekëve dhe hodhën sende ndaj personelit të zbatimit të ligjit, duke rezultuar në 14 arrestime. Qendra ka një kapacitet maksimal prej 125 personash.
Ditët e fundit, gjashtë emigrantë të tjerë tentuan të vrisnin veten në të njëjtin objekt, tha Marco Stufano, kreu i zyrës së prefektit të Romës. Një mbeti i shtruar në spital, dy u kthyen në qendër dhe tre u transferuan në objekte të tjera sepse kushtet e tyre u konsideruan “të papajtueshme” me ndalimin në Ponte Galeria, tha ai.
Muajin e kaluar, asambleja e qytetit të Romës i bëri thirrje Gualtierit të hapte negociata “urgjente” me autoritetet qeveritare për mbylljen e Ponte Galeria, duke pasur parasysh “shkeljet serioze të të drejtave të njeriut të pësuar nga njerëzit e ndaluar atje”.
Edhe garantuesi kombëtar i Italisë për të drejtat e të burgosurve, Mauro Palma, reagoi pasi vizitoi qendrën në dhjetor. Në letrat drejtuar prefektit dhe shefit të policisë së Romës, Palma dënoi mungesën e monitorimit në qendër, duke thënë se çdo objekt që privon njerëzit nga liria e tyre duhet të ketë një sistem funksional të regjistrimit të ngjarjeve kritike dhe ndërhyrjeve mjekësore për dhunën që rezulton në lëndime, trazira dhe tentativa arratisje, për të garantuar respektimin e të drejtave elementare të të burgosurve.
Këtë javë, tre senatorë të opozitës vizituan qendrën dhe dolën të habitur nga ajo që panë.
“Ky vend është më i keq se një burg,” tha senatori Ivan Scalfarotto, i partisë Italy Alive.
“Dhomat ku ata jetojnë janë absolutisht që nuk shihen me sy, tualetet janë nën çdo standard njerëzor. Brenda këtij vendi njerëzit nuk bëjnë asgjë gjatë gjithë ditës, nuk ka punë, trajnim, arsim, diçka që normalisht ofrohet në të gjitha burgjet tona. Njerëzit mbahen këtu pa asnjë shpresë.”
Senatori Walter Verini, i Partisë Demokratike të opozitës, tha se ndërsa kritikat ndaj qendrave kanë qenë të vazhdueshme për vite me radhë, dispozitat e reja të qeverisë që lejojnë ndalimin deri në 18 muaj kërkojnë veprime të menjëhershëm.
“Ne duhet të luftojmë sepse kjo është diçka e padenjë për një vend të civilizuar dhe demokratik,” tha ai.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piatedosi e ka përshkruar zgjerimin e rrjetit të qendrave të riatdhesimit si një element “themelor” në strategjinë e përgjithshme të qeverisë për migracionin dhe tha se kushtet e vështira që gjenden në to janë rezultat i trazirave dhe vandalizmit nga të arrestuarit.
Në një konferencë të fundit për shtyp, ai tha se 50% e të arrestuarve janë të riatdhesuar, se ka pasur një rritje prej 20%-30% të riatdhesimeve deri më tani këtë vit krahasuar me një vit më parë dhe se priste që shifrat të rriteshin.
Por numri aktual i riatdhesimeve është ndër më të ulëtit në Evropë, me një mesatare prej 3,000 njerëz të kthyer çdo vit nga më shumë se 150,000 të ardhur në vitin 2023 dhe më shumë se 105,000 në 2022. AP
/rtsh.al/