Qetësia e fundshkurtit në “Rozafë”, kalaja mbetet pikë takimi mes historisë, natyrës dhe vizitorëve

Fund muaji i shkurtit ka sjellë ditë të kthjellëta dhe temperatura të buta në Shkodër. Nën rrezet e diellit, Kalaja e Rozafës ofron një panoramë të veçantë që ndërthur peizazhin me historinë.
Në këtë periudhë jashtë sezonit turistik, kalaja paraqitet më e qetë krahasuar me muajt e verës. Një çift turistësh nga Skocia zgjodhën ta vizitojnë për herë të parë kalanë, duke u shprehur të impresionuar në përshtypjet e tyre.
“Vijmë nga Skocia, hera e parë që jemi në Shqipëri. Po admiroj hapësirën e bollshme që ofron kalaja Rozafa”, tha një turist.
“Historia e pushtimit otoman më joshi për ta vizituar nga afër fortesën e qytetit. Ne po planifikojmë disa shëtitje nëpër vend të ndryshëm dhe mendoj se mund të rikthehemi sërish këtu. Kemi njohur shumë njerëz miqësorë këtu”, u shpreh një turiste
Të tjerë presin ta vizitojnë këtë park arkeologjik.
“Mendova ta vizitoj sepse nuk kisha qenë asnjëherë. Ma sugjeruan si vend dhe më është dukur shumë vend i bukur”, tha një qytetar.
Edhe në ditët më të qeta të vitit, Kalaja e Rozafës mbetet një pikë referimi për identitetin e Shkodrës. Në dy muajt e parë të vitit, sipas DRTK Shkodër, kalaja Rozafa numëron rreth 7600 vizitorë.
/rtsh.al/