Qetësohet situata në Shëngjin, por era favorizon përhapjen e zjarreve

Situata në Shëngjin u paraqit më e qetë të mërkurën paradite, pak orë pasi zjarret në qytetin bregdetar morën përmasa gati apokaliptike.
Duke raportuar nga zona e portit të Shëngjinit, gazetarja Rugova Dunisha raportoi se vatrat më të mëdha janë neutralizuar.
Flakët mbasditen e së martës u afruan shumë pranë banesave dhe depove të naftës, duke rrezikuar jetën e banorëve nga një shpërthim i mundshëm.
Në pjesë të ndryshme të malit përballë vijojnë të digjen shkurret e fundit. Zjarrfikësit po punojnë për t’i shuar ato.
Zjarret në Shëngjin vijojnë prej tri ditësh. Të martën ato zbritën deri në bregdet, ku disa shezlongë të një rezorti privat u shkrumbuan, bashkë me lokalin afër tyre.
Megjithatë forcat zjarrfikëse dhe ushtria mbeten në gatishmëri, për shkak të erës që fryn në zonë dhe që mund të rrezikojë përhapjen e flakëve nëse vatrat do të riaktivizoheshin.
Ende nuk ka një përllogaritje për dëmet që shkaktoi zjarri i fundit.
/rtsh.al/