Qeveri separatiste?
Një ngjarje shumë e rëndë ndodhi para disa ditësh në Tiranë, edhe pse nuk mori vëmendjen e duhur nga mediat, shënjoi daljen në sipërfaqe jo vetëm të një marrëdhënie korruptive të Thaçit e Berishës, por mbi të gjitha marrëdhënien e impotencës së liderave shqiptar kudo ku janë me Sali Berishën.
Në ditën e inaugurimit të hapjes së Ambasadës së Kosovës, opozita shqiptare u la zyrtarisht jashtë kësaj ceremonie me një arrogancë të paparë deri më tani, duke e kthyer këtë ngjarje në një shpërfaqje force nga pushtetet e Tiranës dhe Prishtinës. Pra, ajo që duhet të ishte një ditë bashkimi i shqiptarëve këndej dhe andej kufirit, u bë një ditë e kobshme ndarëse që do na kushtojë për shumë kohë, e kushedi se me çfarë kosto politike.
Sali Berisha është si gjithmonë orkestrues i këtyre formave të pështira, që mbi interesat e përgjithshme të shqiptarëve vendos interesin e tij partiak. I nervozuar për vizitat e kreut të Partisë Socialiste në Prishtinë, Shkup e luginën e Preshevës, ai përjashtoi përfaqësuesit e opozitës, jo vetëm nga inaugurimi i Rrugës Ibrahim Rugova (inaugurim qesharak sepse tashmë ekzistonte një rrugë me këtë emër në Tiranë e smund të ketë një të dytë) por, duke përfituar nga mungesa e një Ambasadori të Kosovës në Shqipëri, ai i përjashtoi edhe nga ceremonia e hapjes së ambasadës, që teorikisht duhet të bëhej nga vetë ambasada, por praktikisht u bë nga stafi i Berishës. E tamam si një kryetar odash, ai më pas e detyroi stafin e ambasadës që ta merrte përsipër këtë turp, e vetë, ai, plaku i odave, mori çka deshi pa pyetur për kostot që kjo ngjarje mund të ketë. Pra ashtu si thotë populli, të vret natën e të qan ditën.
Ngjarja është shumë e rëndë për disa arsye. Së pari, sepse Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për një Shqipëri politike të bashkuar në mbrojtje të interesave të saj në negociatat me Serbinë, e kjo ceremoni, kjo datë e Pavarësisë së Kosovës duhet të shërbente për një forcim të qëndrimit të Shqipërisë në interesin e saj. Zgjedhjet e fundit lokale, me transferimin kriminal të shumë personave nga Kosova, të organizuar për të votuar Lulzim Bashën, nuk janë vetëm një thashethem, por edhe një fakt, që qytetarët e dinë, por kurrsesi nuk e thonë me zë të lartë pikërisht për të mos i fryrë këtyre teorive anti- kombëtare, që veç do pengonin. Por edhe sepse nuk mund të barazohet lidhja me njëri-tjetrin, me disa interesa të ngushta të dy liderave politik, që për hir të mbajtjes së pushtetit janë gati për çdo matrapzllëk edhe nëse ky shkon në kundërshtim me interesat kombëtare, e shkon për interes vetëm të një separatizmi të ndyrë, për interesa së paku të dyshimta.
Kjo mungesë ftese vjen edhe në një kontekst ku shumica e mediave pro qeveritare i fryn papushim një teorie, që medemek shqiptarët jashtë kufijve politik të saj, nuk i duan socialistët, Bamir Topin apo këdo që është kundra Saliut, sepse janë të lidhur në mënyre të pazgjidhshme me Saliun. Kjo përveç se është kriminale, është dhe totalisht e pavërtete. E pavërtetë sepse shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi janë inteligjentë për të ndarë debatin politik me besimin kombëtar, e pikërisht në këtë besim po sulmohen sot nga manovrat meskine të Saliut.
E megjithatë mungesa në atë ceremoni e të paktën 700 mijë shqiptarëve që përfaqësohen sot nga Edi Rama është një ngjarje e rëndë. Por akoma më e rëndë është mungesa e denoncimit të këtij fakti nga opozita kosovare, madje dhe nga ajo opozitë, që bashkimin e shqiptarëve e ka në programin e saj. Këtë mungesë nuk mund ta shoh ndryshe përveç se një kastrim simbolik që partitë zyrtare të Prishtinës kanë ndaj Sali Berishës. Unë jam pro bashkimit kombëtar, e për vite me radhë jam angazhuar në këtë dimension me aktivitete të ndryshme, gjithashtu prej vitesh jam aktivist i Vetëvendosjes. Bashkimin kombëtar unë e mbështes, sepse besoj që bashkë mund të emancipohemi më mirë e më shpejt se të ndarë, në kuptimin ekonomik dhe politik. Por bashkimi duhet të ndodhë si të barabartë mes të barabartëve. Kjo nuk u duk në këtë ngjarje të fundit, ku partia qeverisëse i bëri një nder Berishës në planin e tij separatist, që tashmë mund të dalë e të thotë: Kosovarët nuk i duan votuesit e PS në Shqipëri, sepse nuk i ftojnë as në ceremonitë zyrtare. E këtë mund ta thotë mbi të gjitha se askush në Kosovë, pikërisht të mbrujtur nga ky kastrim simbolik e publik që i ka bërë Berisha, nuk doli kundra një veprimi të tillë anti-kombëtar.
Keqardhja më e madhe për këtë ngjarje vjen po ashtu sepse ndodh në 100 vjetorin e Pavarësisë, ku leksioni i vetëm që mund të reflektojmë përpara një date të tillë është pikërisht bashkimi. Ndërkohë me këtë shfaqje të ndyrë prodhuam në këtë datë vetëm ndarje. Pikërisht në kohën kur bashkimi nuk vjen vetëm si frymëzim i së shkuarës, por si detyrim i së ardhmes, duke qenë se pikërisht në këtë kohë vendoset përfundimisht statusi i Pavarësisë së Kosovës. Një turp e një fatkeqësi historike, që edhe një herë, por jo rrallë në historinë tonë, tregoi se drejtohemi në kohën e duhur nga njerëzit e gabuar. Kjo ngjarje vërtetoi që këto dy vende, të cilat duhet të ishin një, janë kështu sepse i drejtojnë njerëz separatistë, me axhenda të dyshimta, që shfrytëzojnë gjithçka e këdo për të arritur interesat e tyre kriminale. Po për fat të mirë të dy këta lidera janë tashmë një ëndërr e keqe që po mbaron pasi ti kemi hedhur këta individë në koshin e harresës historike, do duhet të ëndërrojmë pa frikë për të ardhmen tonë të përbashkët në Tiranë, Prishtinë, Preshevë e kudo ku banojnë shqiptarë, që nuk e tregtojnë idenë politike për të shtuar agoninë e pushtetit.
