E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Bashkia punon në mënyrë të paligjshme

Ministria e Kulturës: Bashkia duhet të respektojë vendimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve


Drejtori i IMK, Valter Shtylla: Projekti është miratuar, por Bashkisë i është kërkuar të ndryshojë tri pika


Qeveria duket se nuk do të tërhiqet nga detyra që i ka caktuar vetes, për rikonstruktimin e sheshit "Skënderbej". Pas ndërhyrjeve të Ministrisë së Transportit gjatë fillimit të punimeve në shesh, dhe urdhrit për ndërprerjen e punimeve të Bashkisë nga ana e Ministrisë së Mjedisit, dje ishte radha e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të thoshte fjalën e saj.


Dje për këtë çështje kanë reaguar dy drejtorë në varësi të kësaj ministrie; Valter Shtylla, kreu i Institutit të Monumenteve të Kulturës si dhe Olsi Lafe, drejtor i Trashëgimisë pranë kësaj ministrie. Deklaratat e të dy krerëve, drejtuar Bashkisë së Tiranës ishin të njëjta: po punohet në mënyrë të paligjshme.


Drejtori i IMK-së, Shtylla, prezantoi në mënyrë kronologjike korrespondencën që ky institut kishte pasur me Bashkinë e Tiranës në lidhje më projektin e rehabilitimit të sheshit "Skënderbej".


Sipas tij, letërkëmbimi me Bashkinë ka nisur në maj të vitit 2008, kohë në të cilën bashkia e Tiranës, ka depozituar pranë institutit, projekt idenë për rehabilitimin e sheshit "Skëndërbej". Shtylla thotë se projekt-ideja e Bashkisë është miratuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, me disa kushte.


Ne vendimin numër 15, që ky këshill ka marrë më datë 20 nëntor 2008, shkruhet se Këshilli Kombëtar i restaurimeve vendosi "të miratojë projekt-idenë fituese, të projektit për rehabilitimin e sheshit "Skënderbej" me disa kushte: të mos lejojë ndërtimin e dy ndërtesave të reja, përkatësisht në aksin e Bulevardit "Zogu i parë", dhe midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë; shtrimi i sheshit të bëhet me pllakat tradicionale, me të cilat janë shtruar edhe akset rrugore që nga Universiteti i Tiranës e deri tek Stacioni i Trenit, si dhe pjerrësia e sheshit në formë piramide që është propozuar në projekt të mos e kalojë vlerën 1%.


Bashkia duhej vetëm të rishikonte projektin në këto tri pika, të propozuara nga Këshilli. Me tej, ai shpjegon se pushtetit vendor i është kërkuar që të ridepozitojë për miratim në Këshillin Kombëtar të restaurimeve tri kopje të projektit të ndryshuar.


"Me shkresën e fundit i kemi kërkuar bashkisë që të na sillte projektin pas vërejtjeve të bëra nga ne, por në fakt nuk ka ardhur asnjë reagim", u shpreh Valter Shtylla, drejtor i IMK-së, duke shtuar se korrespondenca me bashkinë është ndërprerë në prill të vitit 2009.


Të njëjtën pasqyrë të ngjarjeve ka dhënë edhe Drejtori i Trashëgimisë në Ministri, Olsi Lafe. Gjatë një deklarate për shtyp, ai ka bërë publike korrespondencën që IMK ka pasur me Bashkinë e Tiranës, gjatë periudhës maj 2008 - prill 2009.


Sipas tij, Bashkia ka bërë kërkesë për shqyrtimin e projekt-idesë më 23.5.2008. Më pas, në nëntor të 2008-ës IMK u përgjigj se kushtet duheshin plotësuar në mënyrë që projekti të zbatohej në terren. Më 27 prill të 2009-ës, Bashkia dërgon një tjetër kërkesë Këshillit Kombëtar të Restaurimit, ku kërkon njohjen e vendimit me kushte.


Sipas Lafes, Bashkia e ka ende një mundësi për të çuar me tej punën e nisur në sheshin "Skënderbej", në rast se ajo depoziton projektin e ndryshuar, në KKR ai mund rishikohet dhe të miratohet, e në këtë mënyrë punimet në shesh nuk do të cilësoheshin më si të paligjshme. Megjithatë, duke ju referuar konfliktit mes bashkisë dhe qeverisë për këtë çështje, përfaqësuesi i Ministrisë bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë një procedurë ligjore.


Kushtet që duhet të plotësojë Bashkia e Tiranës

1. Të mos lejojë ndërtimin e dy ndërtesave të reja, përkatësisht në aksin e Bulevardit "Zogu i parë" dhe midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë

2. Shtrimi i sheshit të bëhet me pllakat tradicionale, me të cilat janë shtruar edhe akset rrugore që nga Universiteti i Tiranës e deri tek Stacioni i Trenit

3. Pendenca (pjerrësia) e sheshit të propozuar, të mos kalojë 1%


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›