E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria 'Berisha 2', emrat sot tek Presidenti Topi për dekretim

TIRANE- Kreu i sapomandatuar i qeverisë së re, Sali Berisha, nuk ka ndërmend të humbasë kohë dhe pritet që sot t'i dërgojë për dekretim Presidentit të Republikës kabinetin e ri qeveritar, të cilin e shpalli dje në mbrëmje. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur vetë shefi i mazhorancës gjatë prezantimit të ministrave të tij të rinj, duke deklaruar se gjatë ditës së sotme do t'i paraqiste kreut të shtetit propozimet zyrtare për secilin post ministror. Ndërkohë që vetë kreu i shtetit ka plot një javë kohë për të shqyrtuar propozimet e bëra nga kreu i qeverisë për secilin post ministror. Nuk dihet sesi do të veprojë kreu i shtetit për rastin e propozimet e Berishës për të emëruar në postin e ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediun dhe në atë të Ministrisë së Brendshme, Lulzim Basha, të cilët janë në gjykim për akuzat e ngritura nga prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës. Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave, së bashku me përbërjen e tij. Në rast se gjatë shqyrtimit nuk do të ketë surpriza dhe në rast se kreu i shtetit nuk do të konsumojë të gjithë kohën që ka në dispozicion për të firmosur dekretet përkatëse, atëherë pritet që gjatë seancës së ditës së hënë, kabineti i ri, së bashku me programin politik, t'i paraqitet për miratim Kuvendit.

Berisha: 16 ministrat e qeverisë sime

TIRANË- Qeveria 'Berisha 2' do të ketë 16 portofole, ku është shtuar ministri i Shtetit që ka funksionuar edhe vite më parë, kur vendi drejtohej nga qeveria 'Nano'. Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar kabinetin e ri, disa orë pasi ai u dekretua nga Presidenti Topi si kryeministër i vendit. Qeveria e re, 8 ministra mbeten jashtë

Kabineti i ri qeveritar, i pagëzuar me emrin "Qeveria e Integrimit", do të ketë një "fytyrë" 50 për qind të re në krahasim me paraadhësen e saj. Kreu i mazhorancës Sali Berisha ka mundur të realizojë, jo pa vështirësi, një reformë të thellë në përbërjen e qeverisë së tij të re. Kështu, 8 nga ministrat me të cilët ai bashkëpunoi deri para një jave, nuk do të jenë më pjesë e ekzekutivit të ri, pasi janë zëvendësuar në të shumtën e rasteve ose nga emra të rin, ose nga kolegët e tyre që më parë mbanin poste të tjera ministrore. Karrigen e ministrit do të duhet ta lërë ministri i Drejtësisë, Enkeljd Alibeaj, i cili u bë pjesë e qeverisë gati një vit e gjysmë më parë, kur zëvendësoi në këtë post Ilir Rusmajlin. Alibeaj duhet t'ia lëshojë postin e tij Bujar Nishanit, i cili në kabinetin e tanishëm mban postin e ministrit të Brendshëm. Një tjetër figurë qendrore e PD-së që do të ikë nga qeveria është edhe Jemin Gjana, i cili në katër vitet e shkuara ka drejtuar sektorin e Bujqësisë. Gjana duhet t'ia dorëzojë këtë post ministror Genc Rulit, i cili nga ana e tij është detyruar të lërë postin e ministrit të Ekonomisë. Gjithashtu, për herë të parë nga qeveria del edhe Gazmend Oketa, largimi i të cilit ishte paralajmëruar kohë më parë kur Berisha shpalli listat e kandidatëve dhe ai e pa veten në pozicion jo shumë komod në listën e Qarkut të Durrësit. Oketa do t'ia lërë portofolin e ministrit të Mbrojtjes ish-aleancistit, Arben Imami. "Thatë" ka mbetur nga rikompozimi i qeverisë edhe Fatos Beja, i cili nuk do të jetë më pjesë e kabinetit qeveritar, duke e lënë në këtë mënyrë karrigen e ministrit të Arsimit për ish-këshilltarin e Berishës, Myqerem Tafajn. Qeverinë do ta lënë edhe dy ministrat më të rinj të qeverisë shkuar, Viktor Gumi dhe Ardian Turku, të cilët mbajnë respektivisht postet e ministrit të Punës dhe atë të Kulturës. Gumi do duhet t'ia lërë vendin minoritarit Spiro Ksera, ndërsa Turku Ferdinant Xhaferit. Në kabinetin e ri nuk do të jetë më pjesë as ministrja aktuale e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila vetëm një vit më parë zuri vendin e Nard Ndokës, për t'ia lënë tashmë atë Petrit Vasilit të LSI-së. Ndërkohë që për herë të parë pas 12 vjetësh në qeveri nuk do të jetë Lufter Xhuveli, kreu i Partisë Agrare, i cili në katërvjeçarin e shkuar mbajti postin e ministrit të Mjedisit. Vendin e tij në qeveri do e zërë Fatmir Mediu, i cili rihyn në ekzekutiv pas një viti e gjysmë.

Berisha i është përgjigjur interesit të gazetareve lidhur me problemin e z. Mediut, që është person nën gjykim dhe përfshihet në qeveri. SIpas Berishës kjo qeveri s'do kete imunitet dhe gjykata do jetë e lirë të veproje ndaj atyre që kanë bërë shkelje. Ai tha se emri i Mediut iu propozua nga republikanët dhe se thjesht zbatoi marrëveshjen për përfaqësimin e aleateve në qeveri. Ndersa per mosperfaqesimin e le partise se cameve berisha tha se "PDI do përfshihet në qeverisje, por jo në qeveri". Sipas tij ka edhe poste të tjera drejtuese dhe jo vetëm Minister, sepse ndarja bëhet në bazë të votave që partitë e koalicionit kanë marrë në zgjedhje.


Ndër emrat e rinj Berisha ka afruar bashkëpunetoret e tij. Ministri i i ri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ishte këshilltar i Kryeministrit për arsimin dhe u bë deputet i qarkut të Tiranës.

Arben Imami, shef i Kabinetit në qeverisë 'Berisha 1' si dhe doli deputet i PD në qarkun e Tiranës. Tani bëhet minister i Mbrojtjes.

Ferdinand Xhaferri, kryesoi listen e kandidateve të djathte ne qarkun e Durresit. Ai u rikthye në PD, pas nje largimi disa vjeçar tek partia e Pollos që tashme është shkrire.

Spiro Ksera, që merr Ministrinë e Punës, u cilësua nga vete Berisha si një nga bashkëpunëtoret e tij më të vjetër. Ai u nda nga PBDNJ kur kjo e fundit doli në koalicion me PS.

Ministrat e kabinetit 'Berisha 2'


Zv. Kryeministër dhe ministër i Jashtëm


Ilir Meta


Ministër i Drejtësisë

Bujar Nishani


Ministër i Financave

Ridvan Bode

Ministër i Brendshëm

Lulzim Basha



Ministër i Bujqësisë

Genc Ruli


Ministër i Mbrojtjes

Arben Imami


Minister i Transporteve

Sokol Olldashi


Minister i Arsimit

Myqerem Tafaj


Minister i Punes

Spiro Ksera


Ministër i Kulturës

Ferdinand Xhaferri


Ministër i Mjedisit

Fatmir Mediu

Ministër i Shëndetësisë

Petrit Vasili


Ministër i Ekonomisë


Dritan Prifti



Ministër Shteti

Genc Pollo

Ministre Integrimi

Majlinda Bregu



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›