E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Si do t’u paguhen qiratë e shtëpive familjeve të dëmtuara nga shpërthimi i Gërdecit



Këshilli i Ministrave ka miratuar dje dhënien e ndihmës financiare për familjet që iu dëmtuan shtëpitë nga shpërthimi tragjik i Gërdecit. Kjo ndihmë e akorduar është për pagesën e qirave për familjet e dëmtuara, të cilat janë ndarë në tri kategori.
Sipas nenit 1 të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, është vendosur dhënia e një ndihme financiare prej 25 mijë lekësh në muaj për pagesën e qirasë së banesës, për një periudhë 1-vjeçare, familjeve, shtëpitë e të cilave kamë shkatërruar tërësisht nga aksidenti teknologjik, i datës 15 mars 2008, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, dhe ndodhen brenda perimetrit me rreze 300 metra nga vatra e shpërthimit.
Në nenin 2 është vendosur që po shumën prej 25 mijë lekësh në muaj, por për një periudhë prej 6- mujore, të përfitojnë familjet, shtëpitë e të cilave janë shkatërruar tërësisht nga shpërthimi në Gërdec, të cilat ndodhen jashtë perimetrit me rreze 300 metra nga vatra e shpërthimit.
Këshilli i Ministrave ka vendosur gjithashtu që të kompensojë financiarisht familjet në fjalë për pamundësinë e shfrytëzimit të trojeve që zotëronin për veprimtari ekonomike private. Vendimi i mësipërm ngarkon Bashkinë e Vorës për të kryer pagesat e sipërpërmendura për familjet e dëmtuara. Gjithashtu ky vendim parashikon që në buxhetin e miratuar për vitin 2008, Ministrisë së Brendshme t’i shtohet fondi prej 54 527 200 lekësh për përballimin e efekteve financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›