E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hijedritat diabolike të leximit sociologjik dhe Kadareja



Behar GJOKA
Letrat shqipe, në të gjithë spektrin e vetë ekzistencial, qysh kur zënë fill, të dokumentuara gjer më tani, në shekullin e XVI e deri në këto momente, pra për të gjitha periudhat shkrimore, të së kaluarës dhe bashkëkohore, janë lexuar dhe trajtuar kryesisht si vlerë dhe prani sociologjike, dhe letrarja, shenja ekzistenciale e letërsisë, tharmi dhe prurja, shprehësia dhe estetikja, ka qenë dhe ka mbetur paradoksalisht, gjithnjë në optikën shqyrtimore të studimeve të historiografisë së shqipes në shërbesë të sociologjikes. Kështu, letërsia e hershme, pra krijimtaria e Buzukut, Matrangës, Budit, Bardhit, Bogdanit, pra ajo pjesë që e tejkalon qenësinë e vetë vetëm si fakt gjuhësor dhe historik, pra siç e ka kundruar për kaq e kaq vite historiografia zyrtare, por që realisht shenjon dhe bart vlera letrare të mirëfillta, janë lexuar vetëm si shenja fetare ose antifetare. Prej kohësh, megjithatë është vënë re se me krijimtarinë e tyre zë fill gjuha shqipe dhe historia e shkrimit të saj, pra nga shihet qartë, duke lënë në harresë dhe duke i shpërfillur padrejtësisht vlerat letrare dhe diturake të kësaj periudhe nismëtare të letërsisë shqipe. Letërsia e Rilindjes, nga më të shqyrtuarat në historinë ekzistenciale të periudhave letrare, kryesisht është lexuar dhe interpretuar si fakt atdhetar dhe me frymë të dukshme atdhedashurie, si dhe i janë “ndriçuar” të gjitha kufizimet ideore në raport me ideologjinë dhe sociologjinë, duke i zbehur kështu ndjeshëm vlerat estetike të De Radës, N. Frashërit, Z. Serembes, N. Mjedës, A. Z. Çajupit, A. S. Drenovës etj. Verifikimi i letrares së kësaj periudhe vetëm e vetëm nën “matricat” atdhetare dhe ideologjike, pra të ngjyresave sociologjike të kohës së përcaktimit të vlefshmërisë, të pohimit apo mohimit, të pranimit dhe kundërshtimit, gati e ka nxjerrë zbuluar këtë periudhë si vlerësi letrare, gjithnjë sipas përfudimeve të historiografisë zyrtare, sepse ajo duket, po ta kundrosh në këtë optikë të shqyrtimit sociologjik të letërsisë së kësaj periudhe, se e ka kryer misionin e vetë, qysh me shpalljen e Pavarësisë, meqenëse prej studimtarisë sociologjike moniste, më së shumti është projketuar si letrare e dobisë, dhe jo pak shenja letrare nuk janë vështruar dhe trajtuar si letrare e shenjëzimeve estetike. Kundrimi i letrares së pranishme në periudhën e Rilindjes vetëm në pistat e dobisë atdhetare dhe të mosdobisë sociologjike, pra si kufizim ideor, shpallur dhe deklaruar me “heroizëm” prej studimeve zyrtare të asaj periudhe, e nxjerrë të zbuluar atë periudhë nga prania e vlerave të letrave shqipe, në mënyrë të dhimbshme dhe të pargumentuar. Madje, nga ana tjetër, tashmë si një princip i përmbysur për nevojat e ndëshkimit, të dhjetëra autorëve dhe të krijimtarisë së vyer letrare, gjithnjë po t’i marrësh si të mirëqenë pohimet e shkencëtarëve të socrealizmit, kjo periudhë ishte mjaft bujare sepse na dha Poetin Kombëtar, N. Frashërin, por gjithashtu me “Këngët e Milosaos” të De Radës zë fill krijimtaria e mirëfilltë letrare. Pra, kjo periudhë gjysmake, së paku po të nisemi nga shqyrtimi dhe përcaktimet e bëra në pranimin e saj, sepse është edhe atdhetare, edhe me kufizime ideore, simbas përfundimeve të historiografisë zyrtare, ndikoi veçmas për të goditur periudhën e parë të letrave shqipe, letërsinë e hershme të shekujve XVI-XVII, në mënyrë që ta linte atë për një periudhë të gjatë kohore përtej rrjedhave të historisë së letërsisë shqipe. Kësaj rrethane të çuditshme dhe absurde, në trajtimin e asaj periudhe të pasur në fushën e letrave, si gjurmë e shkrimit të shqipes, e fillesave të letrares në gjuhën shqipe, por edhe të tjerave, sidomos të alternativave të përkundërta me modelin letrar zyrtar që i përkojnë bashkëkohësisë, mbetet njëra prej humnerave të mosinteretimit të letrares gjithkohore. Po t’i shtosh kësaj klime përjashtues edhe faktin tronditës, që dega e letërsisë arbëreshe, pra vepra e De Radës, Serembes, Darës etj, nëpër vite është “përkthyer” në gjuhën e standartit, në gjuhën e fitimtarëve të vitit zero, në shenjat e shkretëtirës gjuhësore dhe letrare, pra realisht është dhunuar, gati plotësisht dhe gjasat për ta shijuar si tekst autentik atë pjesë thelbësore të letrave shqipe janë vështirësuar ndjeshëm, çka do të thotë bjerrje e vlerave të pranishme nëpër tekstet e realizuara në atë pjesë të rëndësishme të letërsisë shqipe. Leximi sociologjik, i prezantuar me zhurmë dhe fanfara në shtypin e viteve 30’ bëri që letërsia shqipe midis dy luftërave, aq e larmishme si modele dhe shprehësi, si prurje dhe tipologji shkrimi, si rryma dhe personalitete letrare, e quajtur përgjithësisht si letërsi e Pavarësisë, të ndahej në letërsi përparimtare, kundruar kryesisht nga përmbajtja dhe përshtatja me nevojat e levizjeve revolucionare të kohës, e mbushur me rropama të thekura sociologjike dhe ideologjike, ku futeshin Th. S. Noli, M. GJ. Nikolla, N. Bulka, H. Stërmilli, Sh. Musaraj, Dh. Shuteriqi, P. Marko etj., përcaktim ky funksional dhe i ruajtur në verifikimin letrar deri në rënien e sistemit diktatorial. Pjesa tjetër është kundruar si letërsi reaksionare, që u bë shkaku kryesor për t’i përzënë prej panteonit të letrave shqipe, duke i shqyrtuar nga përmbajtja, tashmë si përmbysje e atyre elementëve, por edhe si goditje e hapur e atdhetares dhe letrares që nuk i shkonte për shtat letrares zyrtare, duke përfshirë Fishtën, Konicën, Skiroin, Koliqin, Haxhiademin, Santorin, Xanonin etj. Së fundmi, gjithnjë sipas vështrimit dhe trajtimit të bërë nga shkenca letrare zyrtare e kohës, në letërsi pasive, pra e mbyllur në qerthullin e kërkimit të artit, gati e shkëputur prej problematikës së kohës së mbingarkuar me shqetësime sociale, ose që qëndronte midis të dy tipeve të tjera shkrimore, pra në udhëkryqin ekzistencial e të qenit as përparimtar e as reaksionar, realizuar prej Poradecit, Kutelit etj. Ky lloji leximi, sociologjik dhe ideologjik, i ngushtë dhe diabolik, shkatërrues dhe i anshëm, e shtriu ndikimin e vetë gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së sistemit monist, madje për një kohë mjaft të gjatë përbënte edhe hallkën kryesore të modelit letrar zyrtar, të shpallur me zhurmë si realizëm socialist, edhe mbi vetë prodhimin letrar të projektuar prej kësaj metode utopike dhe absurde jo vetëm në distancën kohore, por në vetë thelbin e vetë ekzistenciale si arti i fjalës. Leximi sociologjik i kësaj letërsie, të ideuar si letërsi e vlerave sociologjike dhe e frymës përmbajtësore, përpara së gjithash, ia përthau edhe ca më tepër lëngjet artistike dhe shprehimore letrave shqipe, duke i shndërruar më tepër në një faqe të shpërdorimit letrar se sa të realizimit artistik. Realiteti letrar, aq sa mund të quhet i këtillë në rastin e librave të shkruar sipas tipologjisë së realizimit socialist, mataruar sipas metodikave të atij modeli, pra teksti letrar, në poezi ose prozë, në dramë ose kritikë letrare, përgjithësisht lexohej dhe shqyrtohej si realitet ideshmërie dhe i brendisë, si realitet hidhnak dogmash vrastare ideologjike, si një kërkesë parimore e modelit letrar të zyrtarshëm, madje duke shpërfillur gati plotësisht formën artistike, mënyrën e thënies që përbën në fakt esencën e komunikimit artistik, ose më liksht ende duke e vënë letraren në shërbesë të brendisë utopike, që e solli në zgrip ekzistencën e letrares në letërsinë shqipe. Mjerisht, edhe në këtë mijëvjeçarin e ri, pra në shekullin e njëzet e një, në hapësirat shqipfolëse, sidomos të këndej kufirit, të asaj pjesës që shpesh thirret edhe si shteti amë, letërsia ose arti i fjalës, përpara së gjithash lexohet si fakt ideologjik, sociologjik dhe biografik, që pothuajse ia ka marrë frymën letrares. Prania e këtyre tipesh leximi, të cilat jo vetëm e përzënë nga shqyrtimi formën, stilin dhe shprehësinë, tashmë e dimë se e provuam se çfarë ngjau me këto mënyra jashtëletrare të trajtimit të letrares, e padyshim edhe me pjesën më të madhe të autorëve të shquar të letrave shqipe, por me sa duket, çka paraqitet edhe në realitetin letrar dhe po ashtu në atë studimor të kësaj periudhe, nuk do t’i lërë shans asaj që të shfaqet në qiellin e verifikimit letrar, si një mënyrë efikase e analizës dhe interpretimit të letrares, shenjës thelbësore të artit të fjalës. Leximi ideologjik, duke përjashtuar të gjitha mënyrat e tjera, e vë letraren në varësi të drejtpërdrejt me ideologjinë, pavarësisht formës së saj, me ideologjinë komuniste, atdhetare, nacionaliste apo internacionaliste. Pra, në këtë rast fatkeq, ajo që është parësore, pra letrarja kalon dytësore dhe më tej ende, dhe kundrohet si shërbestare e idologjisë. Po ashtu lexim biografik, leximi i barazitizmit të pabarazueshëm të tekstit me jetën e autorit, siç ka funksionuar për një periudhë të gjatë kohe nën diktaturë, por edhe në kushtet e demokracisë ndihmon për të lënë në harresë, vetëm për shkak të funksionimit të kriterit, të pashpallur botërisht, po në veprim si njëra prej mënyrave të verifikimit, tek një pjesë e madhe e vlerave letrare, gjithkohore dhe gjithhapësinore. Leximi sociologjik, me shumëformësinë e vetë, ku dallohen për veprimin e plotë në letërsinë shqipe, përkatësisht në varësi dhe i prejardhur prej tij, leximi idelogjik dhe biografik, për ironi të fatit, ka përfshirë edhe letërsinë jozyrtare, me të gjitha format e veta të ekzistencës, qoftë letërsinë e disidencës, të trojeve etnike, e po ashtu edhe letraren e sendërtuar në diasporë, posaçërisht krijimtarinë e gjerë dhe të pasur të Camajt, Pashkut, Pipës, Trebeshinës, Xhaferrit, Zorbës, Reshpes etj. Dhe, vajtueshëm si rezultat i leximit, kryesisht sociologjik të letërsisë shqipe për të gjitha periudhat dhe hapësirat e shkrimit të saj, historia e letërsisë shqipe, shfaqet ose më tepër duket si një histori e sociologjizmit letrar dhe jo si histori e vlerave letrare, sepse optika e interpretimit të letrares si e tillë, pra si fakt social, së pari, dhe si fakt përmbajtësor, së dyti, që mëvishet me një formë që i shërben këtyre qëllimeve të paracaktuara, duke e kundruar pikërisht në këtë mënyrë të gjithë zhvillimin letrar të realizuar në gjuhën shqipe, e ka rrudhur dhe përtharë ndjeshëm historinë e faktologjisë letrare të të gjitha ngjyrave dhe hapësirave. Nëse është shterrur përmbajtja, madje duke përfaqësuar edhe formën letrare, pra të pamundshmen për t’u përfaqësuar, deri në tredhje të plotë, në këtë mënyrë është mënjanuar teksti si fakt letrar, shenja thelbësore artistike. Kjo situatë, aspak normale për historinë letrare të gjuhës shqipe, është e keqja më e vogël përballë “shijes së mbrapshtë të leximit”, siç e pati sugjeruar më herët T. Elioti, poeti dhe studiuesi anglez i fillimshekullit të kaluar, e kjo mënyrë e pafrytshme e shqyrtimit të vlerave letrare vetëm sa e vonon daljen nga tuneli përmbajtësor i verifikimit të vlerave letrare... Lexuesi shqiptar, jo vetëm brenda kufijëve shtetëror, tashmë i ndriçuar edhe prej hapjes që ka ndodhur pas viteve 90’ përgjithësisht shijon realitetin e ideve dhe të brendisë, “kopshtin trëndafilor” të përmbajtjes, pasojë e veprimit të kësaj shije për një kohë të gjatë kudo, në shkollë, në media dhe në mjediset akademike, duke e përjashtuar kështu artin dhe estetiken nga trajtimet shkencore dhe të rrafshit të poetikës. Leximi sociologjik, ku format e pranishme dhe të ndryshme të tij, me tejzgjatjen e vetë dhe sidomos me ushtrimin e trusjes edhe tani në kushtet e lirisë së mendimit dhe fjalës, për disa dhjetëvjeçarë, e ka përzënë formën artistike, tekstin letrar nga shqyrtimi.
(Vijon nesër)

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›